Fyle: Opozita të mos bëhet bllokuese e integrimit
Edvini kokulur në Bruksel, pranon dështimin e aksioneve anti-integrim pas mesazheve të BE se Shqipëria do ta marrë statusin kandidat
Komisioneri për zgjerimin dhe Politikës Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle në takimin që ka patur me liderin e opozitës, Edi Rama i ka kërkuar këtij të fundit që Partia Socialiste të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv për reformat që janë të nevojshme lidhur me objektivin kombëtar të integrimit europian të Shqipërisë. Lideri i opozitës Edi Rama, ka thënë pas takimit, se populli shqiptar e meriton statusin e kandidatit, por jo qeveria. Ndaj, sipas tij, opozita do të vazhdojë të bëjë avokatin e popullit. Në takimin me liderin e opozitës, Komisioneri Stefan Fyle ka përgëzuar qeverinë dhe opozitën për forcimin e bashkëpunimit në kontekstin e reformës institucionale, që ka bërë të mundur një numër zhvillimesh pozitive muajt e fundit.
Hapi i fundit i përshëndetur nga Komisioneri Fyle në këtë kuadër është aprovimi i ligjit të kufizimit të imuniteteve.
“Shqipëria ka një perspektivë reale për përparim në rrugën e saj evropiane, nëse vendi siguron qëndrueshmërinë e dialogut politik dhe shënon një masë kritike të rezultateve konkrete në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë”, tha ai.
Veçanërisht Komisioneri Fyle është ndalur tek nevoja e progresit konkrete në kuadrin e shtetit ligjor, duke theksuar se “Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet për reformën në drejtësi dhe administratë publike”.
Përpos qëndrimit realist të zyrtarit të lartë të Komisionit Evropian nga ana e kryesocialistit Edi Rama s’ka ende asnjë shenjë pendese apo e thënë ndryshe një “mea culpa” për bllokimin 3- vjeçar të aspiratës për integrim evropian. Do të ishte në speficikën e kredibilitetit politik që kreu i opozitës të dilte në një konferencë për shtyp dhe të pranonte “gabimet politike” që i kushtuan vendit 2 vite radhazi refuzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat. Sot, pas 2 vitesh Shqipëria do ishte një hap më pranë integrimit, të paktën do ishim në fazën e negociatave të anëtarësimit. Por, realisht “falë” destruktivitetit të opozitës, jemi ende në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat. Gjithsesi, përtej afateve kohore e rëndësishme është që, lidershipi socialist ka një pendesë në heshtje pasi korridoreve të Brukselit ecën kokulur dhe me barrën e përgjegjësisë së bllokimit 3 vjeçar.