Berisha- Arvizu: “Terroristët të marrin dënimin e merituar”
Vrasja e ambasadorit Stevens në Libi – kryeministri shpreh ngushëllime në ambasadën amerikane në Tiranë
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një vizitë në ambasadën amerikane në Tiranë, për të shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga sulmi i ndodhur mbi Ambasadën e SHBA në Bengazit të Libisë, si pasojë e të cilit humbën jetën Ambasadori i SHBA në Libi, Christopher Stevens dhe tre punonjës të Ambasadës Amerikane atje.
Kryeministri Berisha u prit nga ambasadori amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta si dhe keqardhjen e thellë për humbjen e rëndë të jetëve njerëzore në këtë akt barbar, terrorist.
Kryeministri tha se kjo ishte një ngjarje tronditëse për Amerikën, por edhe për shqiptarët dhe miqtë e saj kudo në botë dhe shprehu besimin se këta terroristë do të marrin dënimin e merituar. Nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu mirënjohjen për mesazhet e shumta të solidaritetit të marra nga autoritetet shtetërore dhe qytetarët shqiptarë. Në shprehje të ndjenjave të simpatisë dhe solidaritetit njerëzor, Kryeministri la një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur nga ambasada me këtë rast.