“Heqja e imunitetit, kurorëzim i suksesshëm i një beteje të gjatë”
Kryeministri Berisha vlerëson miratimin nga Kuvendi
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha iu referua votimit në parlament një ditë më parë, ku u votua në unanimitet heqja e imunitetit. Berisha tha se me kufizimin e imunitetit u kurorëzua me sukses të plotë një beteje e drejtë, e ndershme, jo partiake, 10 vjeçare, ku për herë të parë, deputetët e Shqipërisë ndryshuan Kushtetutën e vendit, për të zhveshur veten, qeveritarët dhe gjykatësit e Shqipërisë nga imuniteti. “Në historikun e këtij kabineti apo kabinetit qeveritar të vendit në 20 vjet është një ditë shumë e veçantë. Ministrat dhe ministrat në detyrë në këtë sallë Ulen për herë të parë “de fakto” si qeveritarë pa imunitet, “de juro”, kjo natyrisht do të jetë pasi të hyjë në fuqi. Votimi i djeshëm në parlamentin shqiptar ishte një votim historik. Dje u kurorëzua me sukses të plotë një beteje e drejtë e ndershme, jo partiake, 10 vjeçare, një betejë të cilën e nisëm në kohën kur ishim opozitë, e nisëm në një kohë kur nuk flitej për status, as dhe kushte nga askush, përveçse ndërgjegjes sonë të bënim qeveritarët dhe zyrtarët e këtij vendi të barabartë me qytetarët e tyre, të njëjte para ligjit, por edhe të barabartë me qeveritarët deputetët e shumicës së vendeve të lira. Kjo betejë ka qenë një betejë e gjatë, e vështirë, por pati dje kurorëzimin më të suksesshëm. Për herë të parë ndofta ose në rastet më të rralla, por për herë të parë deputetët e Shqipërisë ndryshuan Kushtetutën e vendit, për të zhveshur veten dhe qeveritarët e vendit, gjykatësit e Shqipërisë nga imuniteti. Pra ky ishte vendim për veten e tyre. Në qoftë se ata në atë sallë kishin votuar qindra apo mijëra ligje, që preknin aspekte nga më të ndryshmet të jetës së qytetarëve apo të shoqërisë shqiptare, dje ata votuan për të privuar veten e tyre nga imuniteti. Kjo është një arritje historike, nuk është arritje partiake dhe do të ishte shumë e gabuar po të interpretohej në këtë mënyrë. Është një arritje qytetare, është një arritje morale e jashtëzakonshme. Është një arritje e madhe e rendit kushtetues të vendit, pasi Kushtetuta, libri themelor i vendit bëhet më i drejtë, më i emancipuar”, u shpreh Berisha, duke theksuar se heqja e imunitetit në prag të statusit rrit shanset për një përgjigje pozitive në progres-raportin e KE. “Natyrisht, i shqyrtuar problemi tani së fundi, në prag të statusit, kjo merr një vlerë edhe më të veçantë, sepse nuk mund të kishte lajm më negativ që ne mund tu dërgonim partnerëve tanë sesa vullneti ynë i keq për të mbrojtur imunitetin”, tha ai.