E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Shqiptarët meritojnë statusin e vendit kandidat në BE

20-09-2012 / Gazeta 55

Eurodeputetja deklaron për mediat shqiptare në Bruksel

Të shumë kanë qenë mbështetësit e statusit të kandidatit të Shqipërisë miqtë në darkën e organizuar në nder të presidentit Bujar Nishani nga eurodeputetja Doris Pack në bashkëpunim me fondacionin gjerman Konrad Adenauer Stiftung dhe ambasadën shqiptarë në Bruksel.
Në një deklaratë për mediat shqiptare në Bruksel, Doris Pack, ka shprehur keqardhjen për kohën e humbur si rrjedhim i bojkotit të gjatë opozitës, por ajo ka përshëndetur arritjet që janë bërë këtë vit. Përtej rekomandimit pozitiv që pritet të jepet nga Komisioni Evropian, Pack mendon se nëse politikanët shqiptarë duan shqiptarët duhet të gjejnë kompromis për hapat që kanë mbetur për të bindur shtetet anëtare në dhjetor. “Shqipëria tashmë ka bërë shumë përpjekje. Fatkeqësisht është humbur shumë kohë, 2 vjet apo së paku një vit e gjysmë. Të fitosh kohën e humbur është e vështirë. Por mund të them që janë bërë shumë përpjekje. Madje, sapo mora vesh lajmin për aprovimin e ligjit për kufizimin e imuniteteve. Shumë i mirëpritur. Por mendoj, se njëkohësisht duhet të aprovohen dhe ligji për gjykatën e Lartë dhe përmbyllja e reformës parlamentare. Nëse këto bëhen, ne duhet ti japim Shqipërisë statusin e kandidatit, sepse populli e meriton. Jo të gjithë politikanët e meritojnë, por vendi ka kapacitetin të eci përpara. Nëse Shqipërisë i jepet një sinjal i tillë si statusi i kandidatit, kjo do të ndihmojë politikanët që të bëhen më miqësorë midis tyre. Qëndrimi i disa politikanë nuk është shumë demokratik, nuk është i vlefshëm. Shpresoj, që të gjithë politikanët shqiptarë ta kuptojnë mesazhin tonë: Ne e duam Shqipërinë, ne i duam shqiptarët. Dhe shpresojmë që edhe politikanët shqiptarë ti duan shqiptarët. Nëse ata i duan shqiptarët, politikanët duhet të gjejnë një kompromis për të përmbushur kriteret që mbeten. Dhe pastaj të ecim përpara”, ka deklaruar eurodeputetja Doris Pack.
Në darkë merrnin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane. Në përfundim, eurodeputeti Eduard Kukan ka thënë me humor, se presidenti Nishani është treguar më modern se perëndimorët, duke qenë i shoqëruar në darkë nga bashkëshortja e tij, Zonja e parë Odeta Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›