Fyle: Përmbyllni reformat përpara 24 majit

Përfundon në Bruksel takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Në fjalën e tij, komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle ka kërkuar nga forcat politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për përmbylljen e reformave përpara 24 majit.
“Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar për përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politikë në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj” ka theksuar Fyle.
Fule ka shprehur shqetësim që reforma elektorale nuk është përmbushur ndërsa ka nënvizuar faktin se është bërë shumë në reformën zgjedhore, por jo sa duhet. “Por jam i vetëdijshëm që diskutimet janë duke vazhduar. E dimë që ka angazhim dhe vullnet nga të dy palët për të finalizuar punën. Partitë mund të kenë nevojë për kohë ekstra, është absolutisht në dorën e tyre. Reforma elektorale nuk është e mjaftueshme, politikat të tregohen të guximshëm, është moment që nuk duhet humbur përdoreni atë për të shkuar sa më larg, për të arritur sa më shumë”-theksoi Fyle.
Sipas Fyles, Shqipëria ka pasur progres sa i përket reformave por theksoi se duhet më shumë punë për përmbushjen e 12 kritereve e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Shqipëria përballet me një sërë sfidat ku janë të përfshira edhe 12 krieteret e BE-së dhe unë kam besim tek potencialet e saj për t`i përmbushuar ato. S`ka kohë për tu humbur përsa i përket reformave ” shtoi Fyle. Ai ka theksuar më tej se lufta kundër korrupsionit është një çështje shumë e rëndësishme që duhet patur parasysh.
Nga ana e tij Zv.kryeminsitri dhe njëherësh ministri i jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto ka theksuar se situata politike në Shqipëri ka ndryshuar pozitivisht. “Takimi i sotëm u zhvillua në një klimë të re. Ka progres të qartë. Sot arritëm në përfundimin se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet për të plotësuar rekomandimet. Konfirmojmë se për zgjedhjen e presidentit dhe procesi do të jetë konform Kushtetutës dhe do të jetë një sinjal se situate politike do të jetë konform marrëdhënieve me BE, por edhe në respekt të institucioneve” theksoi Haxhinasto.
Nga ana e tij, kryetari i komisionit të integrimit Ditmir Bushati ka theksuar se marrëveshja e arritur nga të dyja palët në nëntor nuk është arritur plotësisht. Sipas tij nëse ka vullnet politik, tryezat për reformën mund të finalizohen në afatin e kërkuar nga KE. “Besoj se nëse ka vullnet politik ne do pastrojmë tryezën më shpejt se data 24 maj. Ka një pikëpamje të përbashkët që paketa e Nëntorit nuk është zbatuar sic duhet dhe kjo është arsyeja pse po i japim më shumë kohë këtyre reformave të materializohen për të katrën herë” shtoi Bushati.