E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, brenda ditës, gris premtimet që bëri në Bruksel

01-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i PS, të tjera gjëra thotë në Bruksel, tek partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, e të tjera thotë e bën sapo zbret në Tiranë.

Edi Rama deklaroi në Kongresin Zgjedhor të PSE (Partisë Socialiste Evropiane) se forca politike e drejtuar prej tij është një “model i shkëlqyer i alternimit të politikave evropiane”. Kreu i PS tha para të pranishmëve evropianë se, Partia Socialiste nisu nga programi dhe fryma evropiane po përgatitet për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës! Deri këtu, i pushtuar nga emocionet teorike, Rama është në rregull, kjo dhe për një detaj informues. Anëtarëve të PSE-së, krerëve të partive kush në pushtet e kush në opozitës, s’u kanë dëgjuar veshët ndonjëherë për një opozitë që digjet e përvëlohet për bllokimin e integrimit të vendit. Këtë e bën Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush nga kryetarët e partive të majta, s’ka parë me sy një opozitë që bllokon rrugët dhe djeg goma nëpër autostrada. Sikurse asnjërit prej tyre, s’i kanë dëgjuar veshët dhe s’i kanë parë sytë një kryetar partie që detyron deputetët e tij të hyjnë në grevë urie në mes të bulevardit qendror të kryeqytetit. Kjo për qëllimin e vetëm, të dorëzimit të pushtetit në tavolinë. Nëse ndokush do kishte informuar liderët e Partisë Socialiste Evropiane (përveç Hannes Svobodës dhe Viktor Boshtinaru, edhe pse janë të iformuar, s’u lejohet të flasin) se cilat janë metodat dhe specifikimet me të cilat instrumentalizon ‘opozitën’ Partia Socialiste e Shqipërisë, atëherë sot do flisnim për një vendimmarrje unanime të PSE-së, thjesht edhe në rolin e një rezolute të gjithë-pranuar, ku t’i bëhej thirrje anëtares së tyre (PSSH-së) të ndryshojë praktikat destruktive që synojnë të rrëzojnë pushtetin me dhunë, kërkojë pushtet në tavolinë dhe izolimin e Shqipërisë nga bota perëndimore. Metoda tipike të trashëguara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Krahas opozitës bolshevike që u luajt me djegien e gomave, grevën e urisë dhe 21 Janarin, ka dhe një opozitë tjetër që po luan me fatet integruese të vendit, duke bllokuar reformat në parlament. Kjo e fundit specifikë aktuale dhe në syrin e monitoruesve të Komisionit Evropian, të cilët siç duket s’ia dalin dot të bindin një bllokator të lindur që të heqë dorë nga peng-marrja e fateve të integrimit. Mund ta bënin socialistët evropianë, në rastin më të mirë t’i kujtonin homologëve të tyre shqiptarë se, roli i opozitës është të diktojë qeverinë, kundërshtojë vendimmarrjen e saj nëse është në shkelje të interesit kombëtar, por kurrsesi, thjesht synon të rrënojë ekonomikisht vendin, largojë shqiptarët nga vokacioni i tyre i pamohueshëm perëndimor dhe në fund fare, qershia mbi tortë... “kërkon t’i dorëzohet pushteti në tavolinë”. Për shkakun e vetëm se, Edi Rama s’vjen dot në pushtet përmes votës së qytetarëve; s’vjen dot në pushtet pasi e larguan nga pushteti kur qeverisi si mos më keq Bashkinë e Tiranës, duke shndërruar në bashkinë më të korruptuar në planet si dhe; s’vjen dot në pushtet sepse gjatë gjithë viteve opozitare të tij, thjesht ka tentuar të sulmojë biznesin, rrënojë ekonominë dhe të bllokojë kursin reformator që përafron vendin me aspiratën e integrimit. Ato që Rama thotë në PSE, për platformë evropiane dhe ndjekjen e një fryme tërësisht evropiane me qëllim ardhjen e opozitës në pushtet, janë rrengu i radhës për t’i shpëtuar përgjegjësive të integrimit, pasi një lidership që, “të tjera gjëra thotë dhe të tjera bën”, s’meriton gjë tjetër, veçse pensionin e parakohshëm politik. Ashtu si në 8 maj 2011-të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›