E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle-Topit: Moszgjidhja e krizës ngadalëson procesin e integrimit

Presidenti Bamir Topi priti sot Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle, në kuadër të vizitës që Komisioneri po zhvillon në Serbi, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë.
Duke diskutuar për situatën politike Komisioneri Fyle vuri në dukje rëndësinë e elementeve që përmbahen edhe në deklaratën e përgatitur dhe bërë publike nga Komisioni para fillimit të vizitës në Tiranë, duke theksuar se nëqoftë se ngërçi politik dhe situata aktuale vazhdojnë dhe mbetet e pazgjidhur, kjo do të ngadalësojë procesin e mëtejshëm të integrimit. "Bojkotet nuk kanë vend në demokracinë evropiane." - u shpreh Komisioneri Fyle, duke vënë në dukje se përgjegjësia do t'u mbetet udhëheqësve politikë nëse nuk do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje.
Nga ana e tij Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht rivendosjen e dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës dhe shprehu "besimin se me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë." Në këtë kontekst, Presidenti Topi trajtoi dhe zhvillimin e tryezës politike mes drejtuesve të mazhorancës dhe të opozitës në Presidencë, që prodhoi edhe rihyrjen e opozitës në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›