Arrestohen 4 elektricistë, vidhnin kabull

Teli i vjedhur
TIRANË- Katër elektricistë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), u arrestuan nga komisariati i Policisë nr.6, në kryeqytet me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të 1.7 km kabull të linjës së tensionit të lartë në Kashar. Ky veprim shkaktoi mungesën e energjisë elektrike në disa zona të kryeqytetit dhe fshatrat për rreth, ndërsa teli vlera e të cilit kap një sasi të konsiderueshme lekësh në treg si i ri, është shitur për skrap në pikat përkatëse të grumbullimit të tij. Roland Brahja, 39 vjeç, banues në Sauk të Tiranës, Gjin Tali, 42 vjeç, banues në Bathore, Lulëzim Dosti, 37 vjeç, banues në Tiranë, si dhe Azgan Dushaj, 42 vjeç, banues në Babrru, të gjithë me detyrë elektricistë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të tensionit të lartë, u arrestuan nga komisariati i policisë nr.6, në kryeqytet me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim së kabullit të tensionit të lartë në një prej segmenteve që e transmeton energjinë elektrike nga Kashari në drejtim të Tiranës.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pak ditë më parë, kur personat e mësipërm kanë shkëputur energjinë elektrike që vinte nëpërmjet këtyre linjave dhe më pas kanë kryer çmontimin e kabullit. Këta persona dyshohet se janë autorë të dyshuar për këputjen dhe më pas vjedhjen e një sasie të konsiderueshme teli alumin elektrik 110 kv, vjedhje e ndodhur në Fushë të Zaltës, në Komunën Kashar,- tha policia e Tiranës dje në një deklaratë zyrtare. Denoncimi është kryer nga OST-ja e cila në një deklaratë zyrtare tha se ngjarja ishte konstatuar me specialistët dhe menjëherë nisi hetimi, duke u shoqëruar në polici disa nga të dyshuarit deri në arrestimin e personave që sipas policisë dyshohet të jenë përfshirë në këtë krim. /D.B/