E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgoni del nga rruga, vdes një pasagjer

Furgoni që bënte linjën e fshatrave malore të Shkodrës ka pësuar aksident. Një 25- vjeçar i plagosur në spital


SHKODËR- Një person ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në mesditën e së martës në aksin rrugor Razëm- Koplik në Malësi të Madhe.


Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Mzhetë në komunën e Shkrelit, kur furgoni tip Benz me targa "MA 15 41 B" ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shkëmb në anë të aksit. Si pasojë e përplasjes së fortë, furgoni është rrokullisur së bashku me pasagjerët që udhëtonin në të. Gjergj Trmali, 65 vjeç nga Razma ka humbur jetën, ndërsa plagë të shumta ka marrë dhe 25- vjeçari Arben Mile nga fshati Vrithë i komunës Shkrel, të dy pasagjerë në furgon.



Katër persona të tjerë që ndodheshin në mjet, përfshirë dhe drejtuesin e tij, 31- vjeçarin Arben Kuçi, kanë mundur të dalin nga mjeti pa dëmtime të rënda.


Kanë qenë këta që kanë lajmëruar policinë dhe kanë kërkuar ndihmë, ndërsa të lënduarit janë dërguar drejt spitalit të Shkodrës, ku mësohet se 25- vjeçari Arben Mile ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Sipas dëshmitarëve okularë, furgoni ishte nisur nga Shkodra në drejtim të fshatrave të komunës së Shkrelit dhe ishte mjet që e bënte çdo ditë këtë rrugë, deri në Razëm.


Mjeti mendohet se ka dalë nga rruga pas një manovrimi të gabuar dhe është përplasur me shkëmbin. Dy autoambulanca kanë bërë transportin e të dëmtuarave për në spitalin e Shkodrës, ku 65- vjeçari Gjergj Termali ka humbur jetën rrugës si pasojë e plagëve të marra.


Policia ka bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit, ndërsa po punon për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së tij, ku një prej dyshimeve lidhet dhe me një defekt teknik në sistemin e drejtimit. Policia akoma nuk ka dhënë versionin e saj zyrtar lidhur me shkakun e këtij aksidenti. Aksi rrugor Koplik - Razëm, dhe pse i rikonstruktuar ka mungesë të sinjalistikës rrugore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›