Fyle në Maqedoni: Të zbatohet marrëveshja politike e 1 Marsit
Komisioneri Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, tërheq vëmëndjen politikanëve maqedonas të zbatojnë marrëveshjen politike të 1 Marsit. Fyle gjatë vizitës së tij në Maqedoni foli pa dorashka diplomatike, ai tha se integrimi i vendit mund të mbetet peng për shkak të krizës politike në vend. Fyle theksoi se autorët politikanë të zgjidhin krizën që shkaktuan me ngjarjet e 24 Dhjetorit. Për sa i përket përmbushjes së reformave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë, Fyle tha se vendi ka treguar përparim por se ka akoma punë për t’u bërë.
“Është shumë me rëndësi zbatimi i marrëveshjes së 1 Marsit, politikanët këtu e shkaktuan krizën dhe është përgjegjësia e tyre politike që t’i kapërcejnë efektet e saj duke e zbatuar këtë marrëveshje. Këtë nuk e kanë bërë akoma, të paktën nuk e kanë zbatuar plotësisht. Është shumë me rëndësi që të gjitha forcat politike mbeten të përkushtuara në integrimet evropiane dhe ato mos t’i lënë peng të garës së tyre politike, sepse kjo vetëm do të dëmtonte këtë shtet dhe qytetarët e tij”, tha Stefan Fyle.
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se megjithë krizën politike, vendi ka përmbushur reforma të shumta dhe se meriton raport pozitiv nga Komisioni Evropian. Gjithashtu ai tha se vendi ka argumente pozitive që të marrën datën e negociatave në Samitin e ardhëm të BE-së që do të mbahet në Qershor. Ndërkaq duke folur për marrëdhëniet ndër-fqinjësore, kryeministri Gruevski tha se Maqedonia vazhdon përpjekjet për kultivimin e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe Greqinë, dhe se fillimi i negociatave me BE-në do të ndihmonte kapërcimin e dallimeve rreth çështjes së emrit.
Por komisioneri Fyle nuk ka komentuar se çfarë mendon komisioni evropian për marrëdhëniet ndër-fqinjësore të Maqedonisë në raportin e jashtëzakonshëm që do të publikohen më 16 Prill.