Maja Koçijanciç: Fati i dialogut Kosovë Serbi, shumë afër
Marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit është shumë afër ka bërë të ditur zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë, Maja Koçijanciç.
“Shefja e diplomacisë së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, mendon se elementet për një marrëveshje mes dy palëve egzistojnë dhe Komisioni Europian do ta inkurajojë palën serbe drejt tentativës së fundit për arritjen e marrëveshjes”, tha Koçijanciç.
Gjatë konferencës për shtyp në Bruksel, Koçijanciç lexoi deklaratën e një nate më parë, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi fatin e dialogut Kosovë-Serbi, pas refuzimit nga Beogradi. Pikërisht këtij të fundit iu drejtua më qartë zëdhënësja e Catherine Ashton, në deklaratën e të Martës.
“Unë theksova deklaratën që Baronesha Ashton ka bërë pikërisht për të siguruar që të kuptohet mirë çfarë thuhet në deklaratë. Në këtë deklaratë Përfaqësuesja e Lartë i bën thirrje qeverisë serbe të bëjë një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje. Mendoj se kjo është shumë e qartë dhe ky është mesazhi që ne i dërgojmë Beogradit”, thotë Maja Koçijanciç, zëdhënëse e Catherine Ashton.
Përveç përsëritjes së kësaj thirrje dhe se të gjithë elementët për arritjen e një marrëveshjeje mbi veriun e Kosovës janë mbi tryezë, Koçijanciç nuk dha asnjë detaj mbi ndonjë lëvizje apo ndonjë takim tjetër të mundshëm së afërmi me palët.
Ndërkaq Prishtina i ka pranuar propozimet e ndërmjetësueses Ashton, ndërsa Beogradit i ka mbetur pak kohë në dispozicion për “përpjekjen e fundit”, deri më 16 Prill, kur Komisioni i dorëzon vendeve anëtare raportet e pranverës, nga ky raport do të varet nëse Serbia do të nisë negociatat për anëtarësim në muajin qershor. Më 22 Prill, Përfaqësuesja e Lartë do të raportojë para ministrave të jashtëm të BE-së për rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi.