E Diel, 1 Nëntor 2026

Fytyra e gjakosur e Berluskonit

Të dielën në darkë, prapa katedrales "d‘Uomo" në Milano, pas një takimi elektoral, Berluskoni zbriti të përshëndetet me simpatizantët e tij dhe aty në mes të turmës, një nga pjesëmarrësit, një italian me emrin Massimo Tartaglia, e godet Kryeministrin italian me një statuetë në fytyrë, duke i shkaktuar plagë të rënda në hundë, dy dhëmbë të thyer dhe fytyrën të mbuluar me gjak. Kjo pamje menjëherë bëri xhiron e botës dhe fytyra e gjakosur e Berluskonit nisi dalëngadalë të bëhet një lloj metafore për demokracinë e helmuar siç u quajt nga shumica e komentatorëve. Në fakt, prej kohësh, shumë studiues e politologë kanë nisur të shtrojnë pyetjen se çfarë lloj demokracie është kjo që po ndërtojmë, në ç‘raport janë të drejtat e njeriut me ligjin. A mos është futur në krizë sistemi i delegimit të pushtetit për shkak se pushteti tani ka nisur të blihet edhe nëpërmjet delegimit. Natyrisht edhe kriza e rëndë ekonomike, apo konfliktet e armatosura në Irak apo Afganistan, kanë lënë gjurmët e tyre. Megjithatë ajo që i ndodhi Berluskonit ditën e diel, është një shenjë që duhet të na bëjë veçanërisht të ndjeshëm ne shqiptarëve. Agresioni ndaj Berluskonit ishte pasojë e dhunës së egër verbale që po zotëron në atë vend, sidomos pas ardhjes në pushtet të Berluskonit. Ndaj tij mediat, gjykatat, opozita gjithçka ka ngritur një mal me akuza, qoftë si bashkëpunëtor të mafies dhe urdhërues i saj, si njeri që flirton me femra deri edhe në vilën e tij të famshme. Pra jeta private dhe jeta politike e Berluskonit është bërë tabelë ku qëllojnë të gjitha llojet e armëve në politikën italiane. Italia ka kaluar vite të vështira dhune politike sidomos në vitet ‘70-‘80 dhe ajo që ndodhi ditën e diel me Berluskonin u kujtoi edhe një herë italianëve se ata kanë nxënë shumë pak nga përvoja tragjike e atyre që ata i quajnë "vite të plumbit".
Para disa ditësh Giovani Sartori shkruante në "Corriere della Sera" se gjithmonë kam stërmbrojtur demokracinë ala Çurçill, i cili thoshte se edhe demokracia është një sistem i keq, duke ditur që të tjerët janë më të këqij akoma. Dhe vijon më tej se tjetër gjë është demokracia liberale e ndërtuar mbi kushtetutshmëri dhe tjetër gjë janë të ashtuquajturat demokraci populiste dhe direktiviste që ngjajnë sikur vetëqeverisen dhe që nuk pyesin edhe aq për garantizmin kushtetues. Pikërisht këtu vijon Sartori, unë dalloj demokracinë si demo-mbrojtëse (që mbron demosin nga abuzimet e pushtetit) dhe demo-pushtetare (që mund të shndërrohet në të kundërtën e së parës). ("Corriere della sera", 2.12.2009). Kjo e dyta, sipas Sartorit, ka formën sidomos të demokracisë së Chavesit të Venezuelës. Mirëpo nuk do mend shumë që të mendosh se edhe demokracia jonë është një demo-potere (pushtetare) siç thotë Sartori. Kjo lloj demokracie karakterizohet nga lufta e egër politike dhe nga gjuha e helmuar. Në këtë lloj demokracie kundërshtari vizatohet si armik dhe ai projektohet si një mundësi që turmat mund ta shqyejnë. Në demokracinë tonë nuk ekziston dialogu i ideve, por retorika e ashpër e luftës dhe armët që zgjidhen në këtë rast janë pjesë e fjalorit komunist me ruspa e ekskavatorë, me kosh dhe histori, me plehra e me mafie. E vutë re, shpirti i trazuar i Kryeministrit tonë që helmon atmosferën politike shqiptare u qetësua vetëm kur dhëmbët e ruspës kafshuan trupin e pallatit 12-katësh. Deri atëherë, shpirti i Kryeministrit tonë gulçonte dhe nxirrte shkulma. Mirëpo sapo dhëmbët e vinçit u ngulën mbi pallat, sapo e kafshuan atë, në nënvetëdijen e tij u projektua trupi i shtrirë dhe pa jetë i opozitës dhe me asosacion paranojak ai shihte në atë çast se si shqyhej trupi i opozitës. Vetëm kjo kënaqësi, vetëm kjo ekstazë e përmendi dhe ai, mesa duket, dha urdhër që të largohet vinçi, të ikë ruspa. Klima e urrejtjes dhe e helmit që është mbjellë në këtë vend nuk çudit më njeri dhe për fat të keq ne po shkatërrojmë edhe fëmijët tanë, sepse orar e pa orar televizionet transmetojnë skena horrori të fjalimeve politike. Mirëpo fytyra e gjakosur e Berluskonit bëri dje xhiron e botës dhe ne të gjithëve na u kujtuan edhe "vitet e plumbta shqiptare". Edhe te ne lideri i sotëm i opozitës është gjakosur në fytyrë dhe ata që e gjakosën nuk ishin me të meta mendore, si ai që goditi Berluskonin. Ata nuk e goditën Edi Ramën në mes të turmës dhe në mes të sheshit, por tinëz, natën dhe nga prapa. Fytyra e gjakosur e Berluskonit dëshmoi se edhe demokraci më të shëndosha se ne, në qoftë se prodhojnë helm, mund të helmojnë gjithë shoqërinë. Ndërsa demokracia jonë nuk ka se çfarë të helmojë më se ka 18 vjet që ne vetëm intoksikohemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›