E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miratoi dje vendimin, megjithë krizën financiare globale

Shpërblim për festat e fundvitit 2009, pensionistëve dhe administratës - Rimbursim edhe për shtresat në nevojë që preken nga rritja e çmimit të energjisë
 
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për dhënien e shpërblimeve financiare për pensionistët dhe punonjësit e administratës me rastin e festave të fund vitit. Pavarësisht krizës ekonomike dhe rritjes së parakohshme të rrogave, Ministria e Financave ka siguruar fondin prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, si dhe shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 100 mijë lekë.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e radhës të qeverisë se do të mundësohen plotësisht shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe punonjësit e institucioneve buxhetore.
“Ndryshe nga titujt me germa kapitale, me të cilat janë hapur disa të përditshme sot, qeveria qëndron dhe do t’u dërgojë pensionistëve shqiptarë, si dhe punonjësve të administratës kartolinën e viti të ri”, u shpreh kryeministri.
Berisha u shpreh se pavarësisht disa vështirësive, të cilat nuk mund të shpërfillen si kriza nga njëra anë dhe rritja e parakohshme e rrogave, Ministria e Financave pas një shqyrtimi të kujdesshëm të burimeve ia ka dalë të sigurojë një fond prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, që do të shpërndahet brenda këtyre ditëve.
“Nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pra normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në një korrik. Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet ne u detyruam ti japim dy muaj para. Së dyti, rritja e këtij viti është rritja më e madhe në historinë e vendit, me një faturë të fuqishme ndërkohë kur në vende të tjera rrogat për shkak të krizës pësuan rënie nga 6 në 12 dhe 14 %. Pavarësisht nga kjo situatë ministria  e Financave pas një shqyrtimi tërësor të burimeve ia ka dalë të sigurojë 15 milion dollarë si shpërblim për pensionistët dhe këto do të jenë 25 mijë lekë për pensionist”, tha Berisha.
Në këtë kontekst, kryeministri vuri në dukje se janë jo të pakta vendet, të cilat këtë vit nuk do të shpërndajnë shpërblime në fundvit, apo vende të tjera ku kjo shumë do të jetë 12 euro dhe do të jepet në muajin janar.
Kryeministri gjithashtu përgënjeshtroi zërat se qeveria ka bllokuar pagat për zyrtarët, duke bërë të ditur se Ministria e Financave ia ka dalë të garantojë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim, i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera 100 mijë lekë.

Rimbursim edhe për shtresat në nevojë që preken nga rritja e çmimit të energjisë

Qeveria merr një tjetër vendim të rëndësishëm pas shpërblimeve financiare me rastin e festave të fundvitit. Këshilli i Ministrave ka vendosur të rimbursojë të gjitha familjet në nevojë që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Në mbledhjen e djeshme, kryeministri Sali Berisha njoftoi se Enti Rregullator i Energjisë pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve, ka shpallur rritjen me 13 % të çmimit të energjisë.
Kryeministri u shpreh se kjo rritje, e cila është e papërfillshme për industrinë, por shumë e madhe  për institucionet buxhetore nxjerr para qeverisë detyrën për mbrojtjen e plotë dhe totale të të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulta sipas kritereve të përcaktuara.
“Kjo rritje është mjaft më e ulët për 300 kilovatët e parë dhe shkon duke u rritur për konsumet përtej këtyre 300 kilovatëve, të cilat në tërësi janë familje me të ardhura mbi mesataren ose mesatare. Rritja është jo e përfillshme për industritë. Rritja është shumë e madhe për institucionet buxhetore. Është pothuaj dyfishim çka nxjerr para nesh këto detyra. Së pari mbrojtjen  e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara”, u shpreh kryeministri.
Për këtë qëllim Berisha bëri të ditur se është ndarë fondi prej rreth 22 milion dollarësh, i cili do të përdoret për skemën e mbulimit të rritjes së çmimit për shtresat në nevojë. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që skema e mbulimit të rritjes për shtresat në nevojë të jetë operative që më 1 janar, në mënyrë që këto shtresa  të kenë zero efekt nga rritja dhe dua tu them këtu se janë mbi 70 % e konsumatorëve të cilët bien në konsumimin deri në 300 kilovat. Ndaj dhe për shtresat në nevojë mbulimi do të jetë i plotë dhe total”, tha kreu i qeverisë.
Ndërkohë, në kuadrin e masave për shkurtimin e shpenzimeve në administratë, kryeministri Berisha kërkoi nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që në bashkëpunim me Sekretarët e Përgjithshëm të të gjitha institucioneve të vendosin rregulla të rrepta për mospërdorimin e llambave inkandeshente në institucione shtetërore dhe zëvendësimin e tyre me ndriçues të tjerë. E njëjta masë, kryeministri kërkoi që të merret edhe shkollat dhe spitalet e vendit.
Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga ministri i Financave vënien në dispozicion të një fondi për blerjen e makinave, më të mira dhe më të lira, të cilat konsumojnë më pak.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›