Brukseli nis zyrtarisht procedurën për anëtarësimin e Shqipërisë
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan i dorëzon kryeministrit Berisha pyetësorin prej 2 mijë pyetjesh, për të cilin qeveria shqiptare ka ambicien të kthejë përgjigje brenda 31 marsit të ardhshëm.
Berisha: “Pyetësori - Kartolina historike për shqiptarët, qeveria do të punojë me përkushtim maksimal”
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian, udhërrëfyesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kreu i ekzekutivit u shpreh se ky është një moment tjetër i rëndësishëm pas atij të 16 nëntorit, ku ministrat e Jashtëm të BE miratuan kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat.
Ashtu siç edhe u paralajmërua një muaj më parë, pikërisht më 16 nëntor ditën kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan kërkesësn e Shqipërisë për statusin kandidat, Komisioni Evropian, i dorëzoi dje në mesditë qeverisë shqiptare pyetësorin me 2280 pyetje. Ky hap i rëndësishëm i vendit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, është një tregues i qartë i mbështetjes ndërkombëtare ndaj qeverisë “Berisha” dhe reformave madhore të saj në kohë rekord.
Kryeministri Sali Berisha
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Helmuth Lohan Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, i cili dorëzoi Pyetësorin e KE, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë moment si kartolina më historike për të gjithë shqiptarët.
Kreu i qeverisë nënvizoi seriozitetin dhe përkushtimin e kabinetit të tij, në plotësimin e këtij pyetësori. “Është një moment historik në marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Një muaj pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ambasadori i Bashkimit Evropian Helmuth Lohan më dorëzoi, në emër të Komisionit, pyetësorin me mbi 2260 pyetje në 384 faqe, i cili duhet të plotësohet nga autoritetet shqiptare dhe t’i dorëzohet Komisionit pas plotësimit të tij. Në këtë rast, së pari, unë dua të shpreh mirënjohje ndaj Komisionit, i cili brenda një kohë të shkurtër, një mujore, ia doli të formulojë pyetësorin voluminoz për Shqipërinë. Dua ta garantoj se qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave”, u shpreh Berisha.
Kryeministri gjeti rastin ti bëjë thirrje zyrtare kryesocialistit Edi Rama që bashkërisht të përshëndesin dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Europian dhe njëherazi u shpreh qe qeveria mbetet e hapur për të trajtuar bashkë me opozitën problematikën e Pyetësorit. “Unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku t’a përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori”, deklaroi kryeministri Berisha.
Berisha siguroi se rreth 800 punonjës të administratës shqiptare do të angazhohen në në plotësimin e Pyetësorit, ndërsa Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e tij.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Berisha i përcolli një falënderim të veçantë dhe urimet më të mira me rastin e festave të fund vitit, të gjithë përfaqësuesve të Komisionit Evropian në Tiranë dhe Bruksel, për kartolinën historike që u dërguan shqiptarëve.
“Duke e mbyllur këtë fjalë dëshiroj t’i shpreh ambasadorit Lohan, stafit të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Komisionit Evropian në Bruksel, urimet më të mira për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen më të thellë për kartolinën historike që u sollën shqiptarëve për festat e mëdha të fundvitit”, mbylli fjalën e tij kryeministri.
Ambasadori Helmutt Lohan
Nga ana e tij Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan deklaroi se ky është një moment themelor për të ardhmen e Shqipërisë dhe se KE po vlerëson angazhimin serioz të qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj demokratike drejt Bashkimin Evropian. Sipas tij, Komisioni Evropian do t’i analizojë përgjigjet e dhëna me kujdesin më të madh dhe do të përpiqet të analizojë ecurinë që është bërë në këta sektorë dhe bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai e konsideroi tepër të rëndësishëm bashkëpunimin politik në këto momente të rëndësishme, ndërsa i apeloi opozitës që të shohë me seriozitet angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe të hyjë në Parlament. “Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për ketë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për t’a thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjithë partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament. Unë e mbajta shënim thirrjen që u bë nga Kryeministri për të hapur këtë dialog”, deklaroi ambasadori i BE-së, Lohan.
Ai nënvizoi se Komisioni Evropian, uron që ngërçi politik i shkaktuar nga opozita të tejkalohet para festave të fund vitit. “Unë e nisa fjalën time duke ju uruar dhe duke ju përcjellë urimet më të mira për Vitin e Ri, ndërkohë që dëshiroj të jap disa urime të tjera. Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, deklaroi kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan.