E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Me shembjen e tunelit humbën miliona euro

Forca kryesore e opozitës shprehu dje shqetësimin për humbjen e milionave euro pas shembjes së tunelit të Thirrës në rrugën Durrës-Kukës. Deputeti i kësaj partie, Asllan Dogjani, shprehu zhgënjimin se qindra mijëra shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë, që sot kërkojnë rrugën e premtuar, madje inauguruar më shumë se një herë nga Sali Berisha, por që fatkeqësisht nuk e përdorin dot atë.

"Tuneli, që do të bënte të mundur lidhjen e Shqipërisë me Kosovën, sot është i shembur. Bashkë me të u shembën edhe miliona euro të paguara nga taksapaguesit shqiptarë. Dhe mbi të gjitha, bashkë me tunelin u shemb një ëndërr: ëndrra e shqiptarëve për të qenë më pranë njëri-tjetrit, në Kosovë e në Shqipëri", tha ai, ndërsa shtoi se zhgënjimi bëhet edhe më i madh kur shikon se si një pseudokryeministër, me ministrat e tij, bëjnë sikur nuk e kuptojnë atë çka ndodhi në Kalimash. "Sali Berisha dhe Sokol Olldashi bëjnë sikur nuk e shohin tunelin e shembur. Pikërisht këta njerëz, që gjatë fushatës elektorale nuk pushonin se foluri për rrugën dhe veçanërisht tunelin, madje arritën deri aty sa ta inauguronin veprën e papërfunduar disa herë, sot heshtin", nënvizoi deputeti i Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, ai paralajmëroi se Sali Berisha dhe Sokol Olldashi nuk do të mund t‘u shpëtojnë përgjegjësive të tyre dhe aq më pak të vërtetës, kjo sepse një popull i tërë kërkon të dijë mbi një shembje, që çdo ditë e më shumë mban era korrupsion. Jo si deputet i Partisë Socialiste, por si qytetar i Kukësit, nuk do të rresht së kërkuari të vërtetën. Nuk do të rresht së pyeturi Sali Berishën dhe ministrat e tij mbi të vërtetën e shembjes së tunelit të kombit. Deri sa të japin përgjigje, përpara shqiptarëve dhe përpara drejtësisë", deklaroi deputeti i selisë rozë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›