Fytyra e vërtetë e Arthur Rimbaud-së

Besohet se është zbuluar e para foto që paraqet Rimbaud-në të rritur, 30-vjeçar.
Një foto e panjohur e Arthur Rimbaud-së është botuar së fundi në shtypin francez. Ajo ka rëndësi sepse është e para herë ku paraqitet poeti i rritur, afro 30-vjeçar. Fotoja është marrë pranë Adenit (Abisini), qytet i Jemenit të sotëm. Nuk mban datë të saktë, por mendohet të jetë "e fillimit të viteve 1880". Ajo është zbuluar ndër foto të tjera, nga dy librarë, Jacques Desse et Alban Caussé, të pasionuar pas historisë së librave.
"Binte në sy ky portret, ky tip me sy të qartë që ka mes të tjerëve pamjen e një jashtëtokësori, sikur është aty dhe njëherësh diku tjetër", tregon Jacques Desse. "Vendi ku e gjetëm dhe çmimi, kanë pak rëndësi. Është e jashtëzakonshme sepse na mungonte hallka ndërmjet fotos së famshme të poetit në moshën 17-vjeçare nga Etienne Carjat dhe katër autoportreteve të realizuar në kushte shumë të këqija para vdekjes më 1891", shton ai.
Për të vërtetuar fotografinë, dy librarët i kërkuan ndihmë Jean-Jacques Lefrère-it, specialist i Rimbaud-së dhe autor i korrespondencës postume të poetit, botuar së fundi nga "Fayard". Pas verifikimeve të shumta me fotografi të tjera, letra, dhe një pune të kujdesshme prej dy vitesh, e cila konsistonte në vjetrimin e fotos së Carjat-së dhe në shqyrtimin ndër të tjera të transplantimit të syve të Rimbaud-së, fotografia është vërtetuar me bindje të plotë. "Bindja ime ishte thuajse e menjëhershme" shpjegon Jean-Jacques Lefrère për Europe1.fr. "Bëra një hetim dhe të gjitha rrethanat përputheshin. Dimë që personat në foto janë francezë, nuk ishin veç pesëmbëdhjetë atëkohë në Aden, përfshi edhe Arthur Rimbaud-në... Poqese nuk është ai, është një sozi e Arthur Rimbaud-së në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë..." përfundon ai.
Ky do të ishte imazhi i nëntë i vërifikuar që kemi nga Arthur Rimbaud. Fotoja e fundit e e certifikuar e poetit që u shit më 2007 për 75.000 euro në Sotheby's, paraqet Arthur Rimbaud duke pozuar në shkallët e një rezidence luksoze të Adenit në shoqërinë e disa personave të tjerë, rreth vitit 1880.
Jacques Desse dhe Alban Caussé e kanë paraqitur fotografinë në Sallonin e Librit antik në Grand Palais në Paris, javën e shkuar.