E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifa ish-ambasadori në SHBA, kërkon pafajsi në Gjykatën e Lartë


TIRANË- Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa, i dënuar me gjobë për akuzën e "shpërdorimit të detyrës" kërkon pafajësi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të Gjykatës supreme, të cilët kanë caktuar datën 5 maj, si dita kur do të shqyrtohet rekursi i të dënuarit Tarifa me 400 mijë lekë të reja gjobë. Sipas këtyre burimeve konfirmohet se rekursi ish-ambasadorit do të shqyrtohet nga pesëshja gjykuese e relatuar nga gjyqtari Gani Dizdari, i cili ka caktuar orën 9:30 minuta për fillimin e shqyrtimit gjyqësor. Sipas vendimit të formës së prerë tashmë, i dënuari Tarifa është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" në kohën që kryente detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 143 mijë dollarë amerikan. Shpenzime këto që i pandehuri gjate ushtrimit të detyrës së tij i ka kryer në kundërshtim me ligjin, në mënyrat e përzgjedhjes së subjekteve me të cilat ka kryer veprime, në likujdimet e pagesave pa fatura fiskale, në mos pasjen e asnjë dokumentacioni në justifikimin e pagesave të bëra, në mungesën e nënshkrimit të përfaqësuesit të Ambasadës që duhet të autorizonte dhe ekzekutonte veprimin e pagesave. Ndërsa, avokatët mbrojtës të të dënuarit e kanë cilësuar hetimin dhe vendimit të paligjshëm, me pretendimet se përgjegjësia ligjore nuk duhej të binte mbi të pandehurin Tarifa, por mbi punonjësit e tjerë të Ambasadës, të cilët kontrollonin veprimtarinë financiare të Ambasadës. "Ambasadori nuk ka për detyrë të kryeje veprime financiare, si ato që ai ëshët dënuar, por ai kryen detyra dhe funksione politike"-thuhet në rekursin e mbrojtjes duke argumentuar shpenzimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka konstatuar gjatë viteve 2005-'06 të punës së Ambasadorit Tarifa. Ndërkohë, me datë 28 janar 2008 ka qenë Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet e cila e ka deklaruar fajtor ih-ambasadorin Tarifa duke e dënuar me 400 mijë lekë të reja gjobë. Ky vendim është ankimuar më datë 7 shkurt 2008 dhe që pritet që të shqyrtohet mëngjesin e datës 5 maj 2010.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›