Fytyra politike e zgjedhjeve administrative
Megjithëse kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet, do të ishin të paktë në numër ata qytetarë që do të dinin gjëra shumë konkrete për programet që kanë kandidatët e tyre në bashki e komuna. Madje, fatkeqësisht mund të themi se shumë qytetarë në Tiranë dinë më shumë sot se kush grindet në Sukth, Librazhd, Sarandë, për xhamat e thyer të makinës së Blushit në Korçë, apo për ndonjë kosh plehrash të hedhur në erë, sesa për projektet e kandidatëve në Tiranë, e aq më pak në qytete të tjera. Kjo ngjyrosje politike e “fytyrës së ardhshme administrative” rrezikon që qytetari të marrë përfundimisht pamjen e një luftëtari politik, duke lënë mënjanë çdo qëndrim që buron nga interesat e komunitetit.
Afërmendsh, një situatë e tillë kaq ekstreme, së pari rrezikon të largojë shumë qytetarë nga kutitë e votimit, duke lënë më pas si numër votuesish vetëm ata që llogariten si mbështetës. Një formulë e tillë është mbështetur përgjithësisht nga e majta në Shqipëri, e cila beson se militantët dhe mbështetësit e vet janë më të preokupuar për të votuar sesa të djathtët.
Duhet pranuar se një zgjedhje e tillë – përplasje e qartë politike – ka qenë thuajse e detyruar për Edi Ramën, pasi duke pasur shumicën e pushtetit lokal në katër vitet e fundit, duhet të dilte përpara qytetarëve si maxhorancë për të dhënë llogari në shumicën e qyteteve kryesore – një situatë kjo aspak komode për një parti që është në opozitë me pushtetin qendror. Ky paradoks i pushteti solli jo vetëm këtë klimë të nxehtë politike, por edhe mungesën më të madhe – atë të mungesës së plotë të informacionit për qytetarët, të cilët në një sanduiç të tillë politik, të mos dinë as çfarë është bërë, e as çfarë pritet të bëhet, por t’i rreshtohen një qëndrimi të pastër rreth partisë.
Ndërkaq, pas kësaj perdeje politike qëndron një situatë që do të rëndojë gjithë punën administrative. Sepse qytetarët nuk njohin jo vetëm programet, por as modelin se si mund të jenë këshillat, as ekipet administrative që ofrojnë kandidatët. Dhe po të kemi parasysh peshën që marrin këshillat lokalë në mbarëvajtjen e punëve të bashkive apo komunave, mund të presim lloj-lloj bllokimesh politike, siç ka ndodhur rëndom në rastet kur gjërat janë përcjellë politikisht nga Tirana e partive drejt qytezave të mëdha e të vockla.
Por, kësaj situate po i mungon në të njëjtën kohë edhe një marrje përgjegjësie nga lidershipi i PS-së për rezultatin. Kjo, ndoshta edhe për faktin se paralel me skenarin e një fitoreje, nga shumë eksponentë pranë z. Rama është vënë theksi edhe për variantin e një kontestimi, i cili është fokusuar në mbledhjen e përplasjeve politike, sado banale mund të kenë qenë ato. Ky model i mbështetur “në mungesat zgjedhore” do ta ndëshkonte sërish qytetarin, i cili, përveçse nuk do të votojë për drejtuesin e tij lokal, as do të njohë përgjegjësit e strategjisë për këtë situatë.
Dhe kur kanë mbetur pak ditë nga votimi, shpresat për të dëgjuar një përballje idesh është thuajse i pamundur. Të gjendur “të mandatuar pa mandat”, duket se përgjegjësia qytetare u ka mbetur gazetarëve, të cilët do të duhet të bëjnë thirrjet e fundit për qetësi dhe për një votë të vlefshme, ku qytetarët duhet të kenë më shumë parasysh zgjidhjet e tyre të përditshme, sesa premtimet që vijnë pas zgjedhjeve politike. Kjo situatë kaq paradoksale për median, e cila nga raportuese e fakteve dhe personazheve është gjendur si orientuese e drejtpërdrejtë, është një provim i rëndësishëm, pasi duket se, të paktën media do të mund të thotë shumë nga gjërat që i munguan kësaj fushate. Dhe në jo pak raste gjatë ditëve të fundit, media ka treguar se është e zonja të ndikojë në ndryshimin e vendimeve që nuk janë në përputhje me atë që duhet. Ndaj, të paktën të besojmë, se gazetarët do të mund ta fitojnë këtë betejë, në emër të forcës që ka pushteti i fjalës dhe nevojës së shoqërisë për të vërtetën.
