E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq demonstruesi i 21 janarit

Agron Troksi, drejtuesi i autoveturës “Benz 240″ që “shpërtheu” portën e rrethimit të godinës së Kryeministrisë gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit, dërgohet si i pandehur në Gjykatën e Tiranës.Prokuroria e kryeqytetit mbylli pak ditë më parë hetimet në ngarkim të 50-vjeçarit dhe depozitoi dosjen për gjykim. Sipas Prokurorisë, Troksi do të përballet në gjykatë me akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Që nga momenti i arrestimit të tij, pak ditë pas 21 janarit, Agron Troksi nuk e ka mohuar faktin që ishte ai që shkatërroi portën metalike para Kryeministrisë. Por, sipas tij, gjithçka e kishte bërë pasi ishte kërcënuar me jetë nga ana e turmës.
Gjykata
Dosja me të pandehur Agron Troksin u regjistrua pak ditë më parë në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës, si çështja nr. 1402. Sipas burimeve, toga e zezë e përzgjedhur për shqyrtimin e kësaj dosjeje është gjyqtari Gerd Hoxha. Po sipas burimeve, mësohet se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij gjykimi. Agron Troksi u arrestua më 27 janar, si një nga personat e përfshirë në demonstratën e dhunshme të 21 janarit pranë godinës së Kryeministrisë. “Nga verifikimi i kryer nga ana e punonjësve të Policisë Gjyqësore rezulton se në veprimet e dhunshme ndaj Policisë së Shtetit ka marrë pjesë edhe shtetasi Agron Troski. Ky i fundit, duke shfrytëzuar edhe një autoveturë të tipit ‘Benz 240′, që ka në pronësi të tij, ka goditur njërën nga portat metalike të rrethit të Kryeministrisë, duke shkaktuar dëme ndaj pronës shtetërore”, arsyetoi Gjykata e Tiranës në vendimin që caktoi “arrest me burg” për Troksin më 28 janar.
RRËFIMI
Në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tij, Troksi tha se nuk kishte lidhje me demonstratën, por ishte kërcënuar dhe detyruar të përplaste me automjetin e tij portën e Kryeministrisë. “Unë nuk kam qenë në demonstratë. Shkova të marr kalamajtë e mi atje. Kam dy djem nga 20 vjeç. Unë kam qenë duke punuar tokën time në fshat. Kur isha tek ura e madhe e Lanës, afër hotel “Dajtit”, më erdhi turma. Më mori përpara. Më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk bëja si më thoshin. Më thanë ta çoja makinën te Kryeministria. Mua m’u fik makina, pasi më hoqën çelësin nga kuadri, të cilin e kisha me probleme. Më pas e mbaja baterinë gjysmë të karikuar, që makina të mos ndizej, por turma më shtyu përreth 50 metra. E ndezën makinën me të shtyrë. Më thyen xhamin e pasmë të makinës. Me detyruan. Nëse shikohet fytyra ime në demonstratë, më dënoni me 100 vjet burg, nëse doni”, u shpreh ai gjatë seancës.
Arrestimi
Agron Troksi është arrestuar nga Policia e Tiranës, e cila vendosi zbatimin e urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, e cila e identifikoi autorin e ngjarjes mbi bazën e targës dhe të dhënave të tjera të automjetit të drejtuar prej tij. Makina shkoi dhe goditi portën e Kryeministrisë dhe pasi nuk e kaloi dot atë, mbeti për disa orë në hyrje të oborrit të godinës së qeverisë në Tiranë, derisa u bllokua aty nga policia dhe prokuroria në cilësinë e provës materiale. Automjetit iu bë kontroll pasi u dyshua se kishte armë dhe eksploziv, por nuk u gjetën materiale të tilla. “Pas sekuestrimit të pamjeve filmike të regjistruar nga televizionet, Prokuroria iu drejtua Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor për identifikimin e pronësisë së makinës tip “Benz 240″ me targë TR 8118 B, ngjyrë jeshile. Nga përgjigjja e marrë është identifikuar se makina i përket shtetasit Agron Troksi. Menjëherë pas identifikimit të pronarit të automjetit, Prokuroria lëshoi urdhrin e arrestit ndaj tij.

Dëshmia e Troksit pas arrestimit: E godita portën i nxitur nga turma

TIRANE  – Efektivët e Policisë së Tiranës e arrestuan Agron Troksin në banesën e tij, në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, katër ditë pas ngjarjeve të 21 janarit. Policia shpjegoi se në momentin e arrestimit, i akuzuari nuk ka hasur rezistencë. Madje mësohet se Agron Troksi është treguar i gatshëm të paraqitej në polici. Pas arrestimit, i dyshuari Troksi është marrë në pyetje nga prokurorët e dosjes sw 21 janarit. Mësohet se në hetimet paraprake Agron Troksi ka pretenduar se ishte përfshirë nga turma, ndërsa disa individë e kanë detyruar të nisej me makinë drejt Kryeministrisë, pas disa të shtënave me armë nga efektivat e Gardës. “Kam qenë unë shoferi i makinës dhe jam shtyrë nga turma drejt Kryeministrisë. Nuk kisha qëllim të lëndoja njeri, e kam bërë atë veprim i nxitur edhe nga turma. Pasi më kanë detyruar t’i jap makinës me shpejtësi dhe të përplasem me derën e Kryeministrisë, jam lënduar pasi nga frenimi i fortë kam goditur me gjoks dhe kokë timonin”.
Agron Troksi u arrestua nga policia në vazhdën e disa ndalimeve të kryera në Tiranë, Fier, Shkodër dhe Durrës, ndaj personave që u identifikuan si pjesëmarrës në veprimet e dhunshme pranë Kryeministrisë në Tiranë. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj drejtuesit të automjetit që goditi portën e kryeministrisë, por gjykata vendosi që ai të lirohej nga paraburgimi dhe të ndiqej penalisht në një masë tjetër sigurie. Sipas hetimeve Agron Troksi nuk ka qenë demonstrues pasi nuk ka pasur qëllim të merrte pjesë në tubim. Ai ka qenë duke kërkuar djemtë e tij që do ti merrte për ti kthyer në shtëpi por më pas është “rrëmbyer” nga turma dhe është detyruar të përplaset me portën e hekurt të kryeministrisë pas kërcënimeve se do ti thyenin makinën.

Aktet e dhunës më 21 janar, “hetohen” deputetët e PS-së

TIRANE – Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës ka këkruar tablatet telefonike të 17 personave pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit. Të dhënat për bisedat e tyre telefonike janë kërkuar për të parë nëse personat “e dhunshëm” që kanë qëlluar efektivat e policisë dhe godinën e qeverisë, kanë pasur komunikim me deputetët e PS. Në cilësinë e organziatorëve të demonstratës, deputetët e PS, Paulin Sterkaj, Tom Doshi, Besnik Baraj dhe kryetari i PS së Tiranës Pjerin Ndreu janë marrë në pyetje në prokurori disa ditë poas ngjarjeve të 21 janarit. ata kanë mohuar të jenë përfshirë apo të kenë nxitur pjesëmarrësit në demonstratë për akte dhune. Sipas deputetëve dhuna ishte provkuar nga policia dhe më pas demonstruesit ishin kundërpërgjigjur në mënyrë spontane me mjete rrethanore. Ndërkohë prokuroria ka dashur të verifikojë më mirë këto dëshmi. Për këtë qëllim është vendosur që për rreth 17 demonstrues që kanë marrë pjesë në aktet e dhunës, përfshi sulmet ndaj policisë por edhe kryerjen e veprës penale shkatërrim prone, të kërkohen tablatet telefonike të tyre. prokuroria do të verifikojë nëse këta persona kanë pasur fluks bisedash me deputetë apo përfaqëesues të PS për të parë kështu nëse ka pasur organizim të akteve të dhunës.

200 persona
me precedentë të ndryshëm penalë, sipas Policisë së Shtetit kanë qenë të pranishëm në demonstratën e Partisë Socialiste më 21 janar. Sipas imazheve filmike dhe hetimeve të kryera, këta njerëz me precedentë penalë në shumicën e rasteve kanë realizuar aktet e dhunës

22 automjete
përfshi edhe pesë makina të policisë, janë dëmtuar gjatë demonstratës së 21 janarit në Tiranë. Pjesëmarrësit në demonstratë fillimisht thyen xhamat e këtyre mjeteve dhe më pas u vunë flakën atyre në përleshje me efektivat e policisë.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›