G 20 shfuqizon jenin
Duke iu frikësuar mundësisë se politikat e saj për ta mbajtur fikse normën e këmbimit të monedhës së vet me dollarin do të vihen në shënjestër, zyrtarët kinezë deklaruan se samiti i 26-27 qershorit nuk ishte vendi i përshtatshëm për të diskutuar normën e këmbimit të renminbisë, dhe paralajmëruan që kjo çështje të mos futet në qendër të vëmendjes, pasi kështu do të dëmtonte ekonominë botërore. Komentet e përforcojnë qëndrimin se Kina nuk është duke përgatitur ndonjë shpallje të minutës së fundit mbi monedhën përpara samitit, pavarësisht ringritjes së kohëve të fundit të eksporteve kineze, bashkë me zemërimin e anëtarëve të Kongresit amerikan. Edhe pse disa zëra me influencë në Pekin besojnë se qeveria ka një shans të artë për të vlerësuar monedhën e vet në raport me dollarin amerikan përpara samitit, veçanërisht pas rritjes së eksporteve dhe të inflacionit në muajin maj, shumë analistë mendojnë se hë për hë janë pezulluar ndryshimet e politikave monetare.
Tregu i naftës, thellohen humbjet
Nafta i shtoi humbjet të premten, për të dytën ditë rresht, pasi të dhënat e dobëta ekonomike i rritën dyshimet rreth forcës së rimëkëmbjes ekonomike amerikane, vendit që është konsumatori më i madh i globit. Një ditë më parë çmimet e saj ranë 1,1 për qind, pasi Departamenti amerikan i Punës deklaroi se numri i amerikanëve që kërkojnë asistencë papunësie arriti javën e kaluar në majën njëmujore. Nafta bruto amerikane për korrikun ra 48 centë në 76,31 dollarë për fuçi. Një ditë më parë çmimet shënuan një rënie prej 88 centësh. Sidoqoftë, çmimet shënojnë një rritje prej 3,6 për qind për këtë vit, dhe po aq edhe për këtë javë, duke shkuar drejt javës së dytë rresht me fitime. Nafta Brent e Londrës për gushtin ra 11 centë në 78,57 dollarë për fuçi. Një ditë më parë parablerjet e kësaj nafte shënuan një rritje prej 54 centësh. Një moratorium i mundshëm për ndalimin e shpimeve për naftë në det, në valën e masave pas incidentit në Gjirin e Meksikës, mund ta shkurtojë me 200 mijë fuçi në ditë prodhimin e naftës vitin e ardhshëm, duke e rritur me 5 dollarë ose edhe më shumë çmimin e naftës dhe duke i shtrënguar SHBA-të të rrisin importet.
Bursat evropiane, sezoni i tetë në rritje
Aksionet evropiane u rritën në hapje të bursave të premten. Ato shënuan sesionin e tetë në rritje dhe pasojnë rritjen e optimizmit të Wall Street që në ditën e kaluar shënoi rritje modeste. Përgjatë ditës pritet të ketë luhatje për shkak të përfundimit të kontratave në tregun e ardhmërive për këtë muaj. Indeksi pan-europian FTSEurofirst 300 u rrit me 0.3% në 1mijë e 45.49 pikë, dhe tashmë ka marrë drejtimin e prekjes së nivelit më të lartë në 11 muajt e fundit. Në këto momente sektori bankar paraqet performancën më të mirë. Banka franceze Societe Generale është rritur me 1.1% dhe banka spanjolle Banco Santander është rritur me 1.8%. "Pavarësisht volumit të vogël, tregjet kanë qenë shumë të forta në këto ditët e fundit dhe kjo mund të jetë një motiv i mjaftueshëm që investitorët të vendosin që të kalojnë në tregun monetar," tha Heino Ruland, strategjist për Ruland Research. Në ditën e djeshme udhëheqësit e bashkimit evropian vendosën që në muajin e ardhshëm të publikojnë detajet e "stres testit" të bërë mbi sektorin bankar për të bërë transparent shëndetin financiar individual të bankave por edhe për të gjithë sektorin. Udhëheqësit vendosën gjithashtu që të shtrëngojnë rregullat mbi buxhetin dhe të koordinojnë politikat ekonomike për të gjithë bllokun e 27 vendeve. Udhëheqësit synojnë rifitimin e besimit të tregjeve tek monedha e përbashkët.