E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorati ndërtimor në Vlorë, prish 12 ndërtime pa leje : Aksioni ishte i ligjshëm

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar bën me dije se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e njohur si zona e Vilave në Vlorë është kryer në bazë të procedurave krejt të rregullta ligjore. Gjatë së premtes, datë 18 qershor, mjetet pastruese kanë ndërhyrë në 12 objekte të ndërtuara pa leje në afërsi dhe brendësi të territorit të vilave qeveritare në zonën

e Ujit të Ftohtë. Gjatë operacionit që ka si qëllim pastrimin e bregdetit dhe zonave të tjera, përjashtuar një rast nuk është hasur rezistencë apo kundërshti për veprimet e Inspektoratit. Lidhur me pretendimet e disa personave më mbiemër Kadëna, të cilët thonë se u është prishur një ndërtim i vjetër në pronësi të tyre sqarojmë se asgjë nuk është e vërtetë. Inspektorati Ndërtimor sqaron se pronësia e pretenduar me disa dokumente shumë të vjetra është mbi një objekt që është shembur prej dekadash, dhe nuk ekziston më. Objekti në fjalë ka qenë në pronësi të pretenduesve, por është shembur në kohën kur nisi ndërtimi i vilave qeveritare. Ndërhyrjet në këtë objekt janë bërë me urdhër të qeverisë së atëhershme. Më pas, e gjithë zona ka kaluar në pronësi të shtetit. Ndërkohë, aktualisht, veprimet në këtë zonë rregullohen dhe sanksionohen nga ligji Për Urbanistikën, ku në nenin 62 thuhet që as KRRT-të as KRRTRSH nuk kanë të drejtë të japin leje apo të miratojnë ndërtime qoftë dhe provizore në zona të tilla si Vilat Qeveritare. Në shtator të vitit 2008 disa qytetarë u paraqitën pranë drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare në Vlorë me vërtetime pronësie për pjesë të territorit të vilave. Çështja ju delegua Inspektoratit Ndërtimor dhe Drejtorisë së Krimit Ekonomik. Agjentët e Krimit Ekonomik mblodhën vërtetimet e qytetarëve dhe prova të tjera për të zbardhur pretendimet. E gjithë dosja i kaloi Prokurorisë. Pas muajsh hetime, me datë 5 mars 2010, Prokuroria doli me vendimin që as familja Kadënaj dhe as familje të tjera nuk kanë të drejtën e pronësisë në këtë zonë. Duke u bazuar në dokumentacionin e Arkivës së Shtetit, Prokuroria shprehet se në asnjë rast nuk rezulton që familja Kadënaj të ketë qenë pronare në këtë zonë, si para vitit 1945, ashtu dhe pas këtij viti. Duke marrë për bazë të gjitha veprimet e kryera, Prokuroria ka lëshuar urdhra bllokimi në Hipotekë për të gjitha veprimet e familjes Kadëna. Gjithashtu pas përfundimit të hetimeve mbi këtë çështje, Prokuroria dhe drejtoria Anti Korrupsion i kanë kërkuar zyrtarisht Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që të shfuqizojë çdo vendim që ka lidhje me territorin ku ndodhen Vilat Qeveritare. Inspektorati Ndërtimor fton çdo të interesuar që të vërtetojë këto fakte, qoftë duke parë në terren mos ekzistencën e asnjë objekti të vjetër, qoftë dhe në arkiva, apo institucionet që janë përfshirë në këtë debat me bazë të gënjeshtërt. Vetëm para pak ditësh Inspektoriati Ndërtimor mbylli një prej aksioneve më të mëdha të organizuara në Shqipëri.  Në Pastrimi i Rivierës u shembën rreth 320 ndërtesa në Ksamil e Bërdnesh. Ndërtimet ishin pa leje, tërësisht të jashtëligjshme dhe të ndërtuara në një prej zonave më me vlera turistike e kulturore të Shqipërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›