E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjetori i Lola Gjokës, në TKOB

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Lola Gjokës Artiste e Popullit 1910-2010 dje në hollin koncertor të TKOB u zhvillua një pasdite përkujtimore. Materiale vizuale, audio, kujtime dhe përshëndetje të miqve, artistëve në karrierë dhe artistëve që ruajnë kujtimet nga bashkëpunimi dhe interpretimi me mjeshtren e pianos, erdhën në këtë

aktivitet përkujtimor. Lola Gjoka lindi në Sevastopol (Krime-Rusi) më 22 maj 1910 dhe vdiq në Tiranë më 6 tetor të vitit 1985. Shkollën e përgjithshme e kryen në qytetin e lindjes më 1919, ku studion dhe për piano dhe për dance, në klasën e Karallovas. Kthehet në atdhe (në Korçë) në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Filçe (Truja), Thoma  Bezhanin, e Llambi Turtullin debuton në koncertin e parë profesionist, në kinema Mazhestik në Korçë. Në vitet 1933-1934 kryen një varg koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve T.T . Koço, K. Antoniu, M.Kraja, K.Koço e M.Ciko. Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj dhe po atë vit emërohet nga Hil Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror Nëna Mbretëreshë në Tiranë. Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë. Lola Gjoka është një ndër të parët mësues të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncermaestre e grupit lirike në Filoarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontriubuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore dhe si as/regjisore. Pas hapjes së Teatrit të Operas luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Karriera e saj pianistike zë fill me koncertet brenda e jashtë atdheut me grupin e pare të artistëve lirikë 1932-1950. Gjatë kësaj periudhe ajo është shquar edhe në interpretimin e veprave të kolosëve pianistikë si Frederik Shopen, Franc List etj, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në Konkursin Ndërkombëtar Pianistik në Vjenë 1933 si dhe me diplomimin Shkëlqyeshëm në Konservatorin Athinës 1936. Lola Gjoka ka luajtur një rol shumëdimensional si koncertmaestër në konsolidimin e institucioneve të para artistike si Filarmonia e Shtetit 1946 dhe Teatri i Operas dhe Baletit 1953. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale, e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi e interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e Majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë, është libri 50 këngë të përpunuara botuar mbas vdekjes.

TKK, në ditët homazh për Bekim Fehmiun
Me rastin e vdekjes së aktorit legjendar Bekim Fehmiu, Teatri Kombëtar të Kosovës vijon të mbajë Ditët Homazh për Bekim Fehmiun. Këto kanë filluar që nga data 15 qershor dhe çdo natë nga ora 21:00 ndizen 74 qirinj për hir të viteve të aktorit. Bekim Fehmiu, deri në vitin 1987, kur jep dorëheqje nga Teatri jugosllav i Dramës, ai kishte luajtur mbi 40 role të llojllojshme teatrore, nga të cilat kishte interpretuar role të mesme dhe kryesore, duke hyrë këtu edhe Atelia 212. Në dy pjesë teatrore ishte asistent i regjisorit Millosheviq, për Riçardin e tretë dhe Zbulimin e Dobrica Qosiqit. I realizon filmat: Klakson, Roj, Vitet e nxehta, Protesti, Depsi, Pavle Pavlloviq etj. Pas suksesit të madh të filmit Mbledhësit e puplave, në regjinë e A. Petroviqit, ku luan rolin e romit Boro i bardhë (filmi fiton dy shpërblime në Festivalin e Kanës-Francë 1967 dhe nominohet edhe për Oscar), fillon karriera e tij internacionale, duke u bërë ylli i parë botëror nga hapësirat tona dhe nënshkruan një kontratë disavjeçare me producentin Dino De Laurentis. Ai bëhet krenaria e ish-Jugosllavisë. Kryesisht xhironte në Europë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Luajti në gjuhën shqipe, serbokroate, maqedonishte, rome, turke, spanjolle, angleze, frënge dhe italiane. Spektatorët edhe sot i shikojnë filmat dhe teleseritë, në të cilat luajti ai, si: Odisea e Homerit, me Irena Papasin; Aventurierët, ku luajti rolin kryesor të Daksit (plejbojin Porfi ro Rubiroze); Dezertor me Xhon Hjustonin, Riçard Krenën, Rikardo Montalbanin, Çak Konorsin, Vudi Stroudin etj.

Florinda Gjergji, zëri melodioz që do ti mungojë këngës shkodrane
Florinda Gjergji, e cila dy ditë më parë u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare, ka lënë pas një karrierë shumë të pasur në fushën e artit. Debutimin e saj të parë në skenë e ka pasur në moshën 18 vjeçare e duke ecur më pas në gjurmët e këngëtares se mirënjohur Marie Kraja, u bë një ndër zërat më të preferuar të artdashësve shkodranë. Vlerat e kësaj këngëtareje janë shoqëruar me tituj të shumtë të akorduar për të, si Artiste e Merituar, titulli i akorduar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës Krenaria e Qytetit etj. Qytetarë të shumtë shkodranë e më gjerë, miq dhe dashamirës të kësaj këngëtareje që i dha shumë artit shkodran dhe atij shqiptar, bënë homazhe pranë arkivolit të vendosur në hollin e teatrit Migjeni të Shkodrës. Homazhe bënë edhe prefekti Maxhid Cungu, kryetari i qarkut Gjovalin Kolombi, kryebashkiaku Lorenc Luka, si dhe përfaqësues të MRKS, Teatrit Kombëtar të Tiranës etj. Florinda Gjergji është një nga këngëtaret më të vjetra të qytetit të Shkodrës, por edhe të vendit tonë, e cila në një jetë bashkëshortore 50 vjeçare me shokun e jetës, këngëtarin shkodran po aq të njohur Ndrekë Gjergji, kanë spikatur me interpretimet në duet në sa e sa këngë që janë kthyer në himn për gjithë qytetin e Shkodrës.

Last Updated on E Premte, 18 Qershor 2010 19:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›