Pinë qetësues për 1 prill, gjashtë nxënës në spital
SARANDE/ SHPRESA DINE
Pinë ilaçe për t’i zënë gjumi në klasë. Kjo ide e nxënësve të një shkolle të mesme në Sarandë, e nisur për 1 prillin ka përfunduar me dërgimin e tyre në spital. Gjashtë gjimnaziste janë ndjerë keq nga qetësuesi, duke detyruar mësuesit të kërkojnë ndihmën e shpejtë. Në spitalin e qytetit nxënëset, të cilat u çuan në gjendje tepër të përgjumur morën ndihmën e shpejtë. Pas tre–katër orësh kur gjendja e tyre u përmirësua vajzat u larguan nga spitali. Gjithë ngjarja, të cilën e mësuam fillimisht nga burime spitalore nisi me rastin e ditës së gënjeshtrave, 1 prill. Kjo ditë ka ngacmuar nxënësit e vitit të dytë të shkollës jopublike “Dea”, shkollë kjo e njohur jo vetëm në rrethin e Sarandës, por edhe më gjerë për rezultatet e larta, që të flinin në orët e mësimit. Në këtë mënyrë do të trembnin mësuesit e tyre. “Do pimë kokrrat dhe do të flemë”, mësuam të jenë shprehur para kësaj loje me zarar rreth nxënës të vitit të dytë. Shkuan në një nga farmacitë e qytetit dhe për 300 lekë të reja kanë marrë 60 kokrra diazepam. Nga të dhëna jozyrtare pohohet se farmacistja u ka treguar nxënësve se nuk do të kenë pasoja nëse do të konsumoheshin këto kokrra, të ngjashme me valiumin. Nxënësit, të përgatitur për “lojën” kanë pirë fillimisht nga një kokërr diazepam në orën e parë të mësimit. Ajo nuk e ka dhënë efektin që prisnin dhe orën e dytë kanë pirë tjetrën e më pas dhe në orën e tretë. Në këtë orë diazepami e bëri efektin e vet, duke u rënë nxënësve koka mbi tavolinë. Mësuesja e lëndës që nuk ishte në dijeni për çka kishin bërë nxënësit, e tronditur njofton menjëherë drejtuesit dhe 6 prej nxënëseve të kësaj klase i dërguan në spitalin e qytetit, pasi gjendja e tyre ishte shqetësuese. Drejtori i spitalit “Petro Nako” të Sarandës, Arben Vogli, i pyetur për këtë ngjarje të pazakontë u shpreh: “Erdhën 6 vajza në spital rreth orës 10:30 të paradites. Ishin të tulatura dhe tepër të pafuqishme. Menjëherë i kemi futur në serum dhe njërën prej tyre, e cila kishte vështirësi në frymëmarrje, e futëm përveç serumit edhe në oksigjen. I mbajtëm në urgjencë rreth 3-4 orë derisa dolën nga gjendja në të cilën ato erdhën në spital”. Mësohet se kanë qenë vetë vajzat që kanë treguar se çfarë kishin konsumuar, madje disa prej tyre ua gjetëm kokrrat nëpër duar. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen.
Fier, vidhen kompjuterët e shkollës
FIER – Vidhen kompjuterët e shkollës 9-vjeçare, në fshatin Portëz të Fierit. Tetë kompjuterë, dy printerë dhe shumë aksesorë janë grabitur gjatë orëve të natës. Drejtori i shkollës Neshat Driza pohoi se në të gjithë sallën e informatikës mungonin pothuajse të gjitha pajisjet. Ai dyshon se autorë mund të jenë dhe nxënës të shkollës, pasi tre kompjuterë që nuk punonin nuk janë prekur.