Vranë avokatin në Greqi, pranga dy shqiptarëve
ATHINE – Dy emigrantë shqiptarë u arrestuan dje nga policia greke me akuzën e vrasjes së avokatit Spiridhon Joanu. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të policisë helene, sipas të cilave dy shqiptarët e arrestuar janë Shkëlzen Krasniqi dhe Orest Buci. Ndaj tyre mësohet se Prokuroria greke ka ngritur akuzën e vrasjes së avokatit Spiridhon Joanu. Sipas hetimeve të policisë, dy shqiptarët e arrestuar e pranuan autorësinë e krimit disa orë pasi ishin arrestuar dhe po merreshin në pyetje. Nga verifikimet e policisë dhe prokurorisë greke, duket se krimi ka pasur motive pronësie. Megjithatë dosja është ende delikate, ndërsa hetuesit nuk bënë publike detaje të mëtejshme. Sipas mediave greke, gjatë hetimeve për vrasjen e avokatit, policia ka identifikuar edhe një shqiptar të tretë që rezulton i implikuar në krim. Ai është shpallur në kërkim dhe policia tha se po punon për kapjen e tij. Sipas burimeve policore është mësuar se shqiptari i tretë, i shpallur në kërkim është 34 vjeç dhe ka njohje me dy shqiptarët e tjerë të arrestuar dje për vrasjen e avokatit. Ky i fundit mësohet se mbronte në rrugë gjyqësore një çështje pronësie, ndërsa ecuria e këtij procesi është bërë shkak për ekzekutimin e juristit.