G20,Sarkozi:Duhet të arrihen rezultate konkrete
Presidenti francez Nikolas Sarkozi është shprehur se kriza ekonomike dhe financiare është shumë e rëndë për t'i lejuar vetes një samit ku nuk do të arrihet asgjë. Deklarata e Sarkozisë ka ardhur në prag të takimit të G20-ës që do të mbahet të enjten në Londër. "Duhet të arrijmë rezultate, nuk ka zgjidhje tjetër. Kriza është shumë e rëndë për t'i lejuar vetes zhvillimin e një samiti ku nuk do të arrihet asnjë rezultat", tha Sarkozi, në përfundim të një takimi mbi masat sociale të marra nga qeveria kundër krizës. "Unë kam thënë, kërkoj rezultate. Këto rezultate, janë në interes të gjithë botës. Kam zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Gordon Braun. Ai shprehu vullnetin për të ecur përpara. Kam biseduar gjithashtu me presidentin amerikan, Barak Obam, kam lexuar ato që ai ka shkruar. Duhet të arrihen rezultate. Nuk jam pesimist, por ju e dini se në arenën ndërkombëtare ashtu si në atë kombëtare, forcat e konservatorizmit janë më të mëdha", nënvizoi Presidenti i Francës Sarkozi. Presidentët e shteteve dhe qeverive të G20-ës nga vendet kryesore të industrializuara dhe vendet e ekonomive në zhvillim do të mblidhen të enjten, më 2 prill në Londër për një samit, kushtuar marrjes së masave për ristrukturimin e disa aspekteve të kapitalizmit.