E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani,i gatshëm të marrë pjesë në rindërtimin e Afganistanit

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Muhamed Mehdi Akunxadeh ka deklaruar përpara konferencës ndërkombëtare për të ardhmen e Afganistanit që po zhvillohet në Hagë të Holandës se Irani është plotësisht i gatshëm të marrë pjesë në rindërtimin e Afganistanit."Duke përshëndetur propozimet për bashkëpunim të ofruara nga vendet kontribuese në Afganistan, Republika Islamike e Iranit është plotësisht e gatshme të marrë pjesë në projekte për të luftuar trafikun e drogës dhe projekte për zhvillimin dhe rindërtimin në Afganistan", u shpreh Akunxadeh. Por ai tha se planet për shtim të numrit të trupave të huaja në Afganistan nuk do të sillin sukses.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton tha se anëtarëve të Al Kaedës që do të braktisin dhunën do t'u ofrohej mundësia për ripajtim. "Ne gjithashtu duhet të mbështesim përpjekjet e qeverisë së Afganistanit për të ndarë ekstremistët e Al Kaedës dhe talebanët nga ata që iu bashkohen radhëve të tyre nga dëshpërimi", theksoi Klinton. Presidenti afgan, Hamid Karzai ka mirëpritur politikën e re amerikane për rajonin, të bërë të ditur javën e kaluar nga Presidenti Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›