G99: Siguria e jetës në Shqipëri jashtë fokusit të politikës
Lëvizja G99 risolli në vëmendjen e publikut mungesën e sigurisë së jetës në vendin tonë. "Ky është bilanci i luftës së një vendi që pretendon se jeton në paqe, ndërsa statistikat na tregojnë se çdo ditë, një shqiptar humb jetën në aksidente rrugore apo në krime të rëndomta", u shpreh Xhaçka. Sipas saj, jeta po zhvlerësohet ditë pas dite dhe shqiptarët ndihen gjithmonë e më të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, politika e vjetër e intrigave dhe sherreve bajate vazhdon të mbetet ngërthyer mbas interesave vetjake dhe jo ato publike. "Në vend që të marrë masa për garantuar jetën e për të rritur cilësinë e saj për çdo qytetar shqiptar, kjo qeveri përpiqet të politizojë policinë, shëndetësinë, të çmontojë drejtësinë, të bllokojë buxhetet, të shpenzojë dhjetëra milionë dollarë në fushata publicitare, të cilat reklamojnë përurime rrugësh të pambaruara e të tjera arritje fiktive, të cilat nuk kanë asnjë impakt në jetën e qytetarëve", nënvizoi Xhaçka. Ajo i kërkoi qeverisë të lërë mënjanë intrigat politike e të tregojë vëmendje ndaj sigurimit të gjësë më të shenjtë të çdo njeriu, jetës.