Braçe: Ruli të presë punonjësit e ARMO-s
Deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Rajmonda Stefa i kanë kërkuar dje ministrit të Ekonomisë që të takonte punonjësit e ARMO-s, të cilët ndodheshin jashtë sallës së Kuvendit duke pritur për orë të tëra që të takonin ministrin, pasi në ministri nuk kishin mundur ta realizonin një gjë të tillë. "Këta punonjës nuk kanë të ardhurat minimale për bukën e gojës dhe janë të gjithë kryefamiljarë, ndaj duhet zgjidhur kjo çështje", u shpreh Braçe. Më tej, ai theksoi se "Ruli dhe qeveria nuk do ta zgjidhë problemin me punonjësit e ARMO-s, sepse nuk janë palë". Ministri Genc Ruli, në replikë me deputetin Erjon Braçe, deklaroi se punonjësit e ARMO-s janë pritur nga zëvendësministri që i tha se "ne jemi marrë me këtë çështje, e cila është pothuajse e zgjidhur". Pas privatizimit të ARMO-s, një pjesë e punonjësve të kompaniSë humbën vendet e punës dhe tashmë kërkojnë kompensim nga shteti pasi nuk janë paguar.