E Shtunë, 31 Tetor 2026

"G99" gati për të kandiduar në zgjedhjet e 2009

Grupimi “G99” do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Kete tha sot kreu i saj Erjon Veliaj në Asamblenë e Parë. “G99” shënoi sot edhe grupimin e parë që ndërtohet mbi kontributin financiar të anëtarëve. 

TIRANË - “G99” do të jetë ndoshta partia më e re e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet e pergjithshme. Deklarata është bërë nga drejtuesi i saj Veliaj pak minuta para asamblesë së parë të grupimit. “Do të na shikoni në atë opozitë që mbron interesat e qytetarëve shqiptarë dhe në atë opozitë e cila sot është shumë herë më e madhe se opozita e partive. Jemi gati me kandidatë konkret, me qytetarë që do të angazhohen në çdo nivel të qeverisjes së ardhëshme, me pak fjalë ne jemi gati për ndryshim”, theksoi Erjon Veliaj.
“G99” bëhet e para dhe e vetmja lëvizje në vend ku të gjithë anëtarët do te  kontribuojnë me dhurimet e tyre vullnetare, kanë në pronësi të përbashkët vizionin dhe qëllimet e lëvizjes. Në Asamblenë e Parë kjo lëvizje ka ligjëruar mbledhjen e  kuotave të anëtarësisë në fondin e përbashkët “Aksion për Ndryshim”.
Me  një konceptim tërësisht ndryshe të forumit të lartë drejtues “G99” ka mbledhur Asamblenë e Parë në të cilën ndryshe nga çdo grupim politik kanë folur studentë qytetarë e pensionistë.
Drejtuesi i grupimit Erjon Veliaj në prani të qindra anëtarëve  nga gjithë vendi bëri thirrje për një bashkim të përmirësimit të qeverisjes së vendit. “Shqipëria duhet të jetë vendi i mundësive i të gjithë atyre të rinjve apo të rejave, nga cilido fshat, nga cilido qytet të cilët me ide dhe talent mund të avancojnë”, përfundoi Veliaj.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›