E Diel, 1 Nëntor 2026

G99 protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë: Nuk ngrihen çmimet në kohë krize

Tiranë, 25 nëntor NOA - G99 protestoi sot para Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës kundër rritjes së çmimit të energjisë, në kohën kur ERE zhvillonte një seancë dëgjimore pikërisht për këtë rritje, të cilën ministria e drejtuar nga Dritan Prifti nuk e ka kontestuar aspak.

Etjen Xhafaj i lëvizjes G99, e akuzoi ministrin Prifti si një politikan i cili në vend që të ndihet borxhli ndaj qytetarëve, ndjen për detyrë të plotësojë vetëm kërkesat e dëshirat e kryeministrit Sali Berisha.

Ky ministër nuk është borxhli ndaj qytetarëve, por ndaj Berishës që i dha karrigen ministrore, ndaj dhe nuk ndihet i detyruar të mbajë premtimet, por vetëm të plotësojë kërkesat e dëshirat e Kryeministrit, tha përfaqësuesi i G99.

Duke argumentuar se kjo protestë bëhet për një problem real që prek gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, Xhafaj shtoi se Prifti gënjeu për OSSH-në, gënjeu për ARMON e tani sigurisht po gënjen e zhgënjen qytetarët edhe për çmimin e energjisë elektrike.

Gjatë kësaj proteste aktivistët e G99 mbanin parulla ku shkruhej: Nuk ngrihen çmimet në kohë krize, një parullë ironizuese: Z. Prifti, bëj plan alternativ për në prill, apo: 10,000 euro = inspektor karburanti! Po për dritat sa?,  parullë kjo që i referohej një deklarate të ministrit Prifti sipas të cilit sot paguhet ryshfet deri në 10,000 euro për tu bërë inspektor karburanti, dhe parulla të tjera që i kujtonin drejtuesit të këtij dikasteri gjithë premtimet e pambajtura ndaj qytetarëve.
k.k/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›