E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër, në ankand pasuria e Romanovëve

LONDER-Një koleksion i rrallë i plaçkës së vyer që dikur i përkiste familjes mbretërore ruse është nxjerrë në ankand në Londër. Pjesë e këtij ankandi janë edhe disa objekte dekorative Faberzhe të cilat nuk ishin shfaqur në publik prej mëse 90 vjetësh. Ky koleksion i jashtëzakonshëm fillimisht i përkiste Dukës së Madh Vladimir Aleksandroviç dhe bashkëshortes së tij Maria Pavlovna, të afërm të carit të fundit të Rusisë, Nikolla i Dytë. Thesaret e Romanov u zhdukën gjatë Revolucionit të Tetorit 1918 duke u rizbuluar vetëm, pak kohë më parë në Stokholm.

Në ankandin e organizuar nga Sotheby në Londër përfshihen edhe rreth 100 kuti të stolisura cigaresh si dhe dhjetëra butona manshetash, shumica me simbolet perandorake si dhe kapota ushtarake madje edhe fotografi të pjesëtarëve të familjes mbretërore. Me përfshirjen në këtë koleksion të objekteve dekorative Faberzhe të panjohura më parë Sotheby është e mendimit që vlera e përgjithshme që pritet të sigurohet mund të jetë rreth një milion paund.
Një ndër objektet më të spikatura në këtë ankand pritet të jetë një kuti cigaresh ngjyrë ari e Faberzhe dhuruar Aleksandroviç nga Nikolla i Dytë. Ajo shoqërohet nga një shënim personal i vetë perandorit ndërkohë që është punuar nga mjeshtri i Faberzhe Michael Perchin. Vlera e kësaj kutie cigaresh llogaritet në rreth 90,000 paund.

Drejtoresha e përgjithshme e Sotheby, Jo Vickery, tha se zbulimi i një morie objektesh deri më sot të panjohura dekorative të cilat ishin pjesë e thesarit të familjes Romanov ishte diçka e paprecedentë. "Ky zbulim qe tmerrësisht ngazëllyes pasi nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Morëm një telefonatë përmes së cilës na njoftuan për mbërritjen e koleksionit të objekteve që do të nxirreshin në ankand në bodrumin tonë. Pjesë e tij ishin edhe disa dyshekë që dikur i përkisnin familjes perandorake . Kur i hapëm dyshekët fillimisht nuk iu besuam syve. Mendoj se kushdo ëndërron të gjejë një thesar ose antika, kjo është diçka që bën pjesë në qenien tonë, por në rastin tonë ky zbulim qe vërtet interesant pasi u krye fare rastësisht e në vendin më pak të imagjinueshëm" tha ajo.

Dukesha e Madhe Maria Pavlovna u largua nga Shën Petersburg në Mars 1917 pas shtimit të armiqësisë popullore ndaj familjes perandorake në prag të Revolucionit të Tetorit. Koleksioni i vyer i kutive të cigareve të bashkëshortit të saj të ndjerë si dhe butonat e manshetave të këmishave të tij u fshehën nëpër dyshekë nga një mik i saj i cili më pas ia besoi ato legatës suedeze në Petrograd në Nëntor 1918. Ato qëndruan në ruajtje por të harruara derisa u zbuluan në Stokholm në Janar të këtij viti.
Pjesë e këtij ankandi janë edhe butonat e manshetave me simbolet perandorake të cilat pritet të shiten me një çmim prej 80 paund. Disa prej tyre mbajnë data të shënuara si martesaq apo përvjetore, ndërsa disa të tjera ilustrojnë pasionet e ndryshme të përdoruesve të tyre. Në tërësi ato përcjellin imazhin enjë familje të bashkuar.

Vickery tha se historia që fshihet pas këtij koleksioni e shton vlerën tashmë të lartë të këtyre objekteve. "Duhet pasur parasysh fakti që bëhet fjalë për një koleksion perandorak, madje për elementët më cilësorë të përdorur nga pjesëtarët e kësaj familje ose të dhuruar prej tyre. Pika kulmore e koleksionit është një kuti cigaresh dhuruar nga cari Nikolla i Dytë Vladimir Aleksandroviçit. Cilësia e punimit të saj është e jashtëzakonshme por njëkohësisht ajo është edhe një objekt tepër i vyer në aspektin historik ndaj besoj se do ngjallë interes të madh tek koleksionistët" tha ajo.
Ky ankand do të zhvillohet më 30 Nëntor.

(pergatiti Sokol Topi.d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›