GAIA, një shkollë si në kohën e Platonit
Një nga edukatorët më të respektuar të botës ka vendosur që të zhvendoset një vit më parë në Shqipëri. Vizioni dhe historia e tij janë shumë interesante në lidhje me perspektivën e arsimimit të brezit të ri në përgjithësi. Bëhet fjalë për profesor Willam Maxwell, një njeri që ka udhëtuar shumë dhe ka ndarë e marrë përvoja në vende të ndryshme të botës, duke qenë se ka jetuar për rreth 10 vjet në Kore, për 6 vjet në Nigeri dhe 6 vjet të tjerë në Fixhi, në Paqësorin e Jugut. Ai gjithashtu ka studiuar dhe dhënë mësim në shumë universitete të Shteteve të Bashkuara, Anglisë dhe Zvicrës. Kërkimet e tij, leksionet dhe vlerësimet që ka marrë për to, e kanë çuar në rreth 60 vende në të gjitha kontinentet. Studimet kryesisht i ka përqendruar në lëndën e psikologjisë së të mësuarit, edukimin prindëror dhe i ka botuar në shumë revista dhe gazeta profesionale si “Phi Delta Kappan”.
çfarë ju ka sjellë në Shqipëri?
Fillimisht një ish-koleg dhe mik i imi, dr. Dritan Zela, matematikan, më ftoi këtu ndërkohë që po jepja mësim në Irlandë. Kur vendosa të vij në Shqipëri u takova me autoritete të larta të vendit, si ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me presidentin dhe sekretarin e Komitetit Olimpik Shqiptar. Ata i pëlqyen idetë e mia për vlerat e sportit dhe në vijim më ftuan që të ngre këtu një akademi. Këtu kam parashikuar që të qëndroj për një kohë të gjatë.
çfarë përshtypje të parë keni nga Shqipëria?
është një vend i nënvleftësuar. Historia juaj brilante, përfshi historinë e Ilirisë, nuk njihet thuajse fare në botë. Për shembull, unë i kam pyetur studentët e mi se sa perandorë i dha Iliria Perandorisë Romake? Askush nuk më dha një përgjigje të saktë. Përgjigjja e saktë është 13, sipas Rebeca West, një nga studiueset më të famshme të Anglisë. Përveç Japonisë nuk kam parë kurrë më parë një proporcion kaq të madh fëmijësh shumë të talentuar dhe me dhunti. Nëse do të niseshim nga kjo premisë, atëherë parashikimi që do të bënim për këtë vend do të ishte shumë optimist. Fëmijët janë jo vetëm shumë të këndshëm e të mirë, edhe pse paksa të ndrojtur, por jashtëzakonisht inteligjencë.
Mbi ç’bazë e thoni këtë?
Fëmija i një fqinjit tim, me të cilin luaj lojëra logjike, më mund shumë shpesh në lojëra që kërkojnë inteligjencë.
Cili është vizioni që doni të materializoni këtu?
Kur bëja doktoraturën në Harvad, një nga profesoreshat më të mëdha të universitetit, psikologia Anne Roe, na ngarkoi një detyrë që të krijonim një sistem të ri shkollor për shekullin XXI. Sipas saj, sistemi shkollor në të gjithë botën kishte dështuar dhe kishte nevojë për një revolucion shumë serioz. Vendosa të punoj për këtë sfidë dhe së bashku me bashkëshorten time ua dërguam versionin e parë të “vizionit”, apo “ëndrrës” të gjitha gazetave, fondacioneve të ndryshme nëpër botë dhe sigurisht në Amerikë. Si përgjigje morëm një “heshtje shurdhuese”. Ja disa nga karakteristikat e kësaj “ëndrre” të një sistemi shkollor të së ardhmes.
*Strukturat financiare të sistemeve shkollore të së ardhmes janë të programuara për të tërhequr në profesionin e mësimdhënies anëtarët më të ndritur dhe të shkolluar të shoqërisë. Kjo do të thotë që pagat e mësuesve duhet të tejkalojnë ato të bankierëve dhe të juristëve. Kjo do të thotë gjithashtu edhe që çdo fëmijë do të përfitojë një shkollim të cilësisë së Harvardit për lëndë që përkojnë me talentet dhe aftësitë e tij individuale.
*Fëmijët do të kenë “aftësitë e tyre” apo talentet që do të duhet të identifikohen sa më shpejt të jetë e mundur, që sipas standardeve të Harvardit duhet të ndodhë para pubertetit. Sa më shpejt të zbulohen aftësitë e fëmijëve, aq më të pakta janë shanset që ata të shndërrohen në individë të dështuar, apo të rrezikshëm.
*Të gjithë fëmijët do të kenë një aftësi të dukshme para pjekurisë, në moshën 15-vjeçare.
Qëllimi juaj është që të krijoni një model të tillë shkolle edhe në Shqipëri?
Po.
A mund të na e përshkruani idenë për këtë shkollë model?
Duke qenë se talenti në atletikë është një nga më të lehtët për t’u identifikuar, sporti duhet të jetë në qendër të kurrikulës së modelit të një shkolle të shekullit XXI. Duke u nisur nga kjo premisë unë e quajta këtë shkollë për nder të Platonit dhe grekëve të lashtë e shqiptarëve, Akademia Globale për Atletikën Ndërkombëtare, GAIA. Donim që të krijonim një lidhje me Akademinë e Platonit, në të cilën një person i shkolluar mësonte mbi bazën e preferencave që kishte si individ, si dhe mësonte bazat e çdo shkence, duke ushqyer një dashuri për tokën që na mbështet. E duke qenë se njerëzit janë shumë më produktivë kur kanë objektiva të qarta, akademia do të ngulmojë që në fëmijëri të gjithë fëmijët e akademisë të kenë aftësi të mëdha atletike dhe të aspirojnë të fitojnë medalje olimpike. Ky qëllim është një motiv i fuqishëm.
është një akademi që do t’u shërbejë fëmijëve shqiptarë, apo edhe fëmijëve të tjerë?
Një grup prej 8 personash, përfshi ish-drejtorin e Agjencisë Amerikane të Informacionit, dr. John Reinhardt, ia kanë paraqitur projektin 13 ambasadave në Uashington dhe secila premtoi që t’i dërgonte fëmijët e saj në akademi.
Pra GAIA është ndërkombëtare?
Plotësisht. Në fakt, 99 vende të ndryshme nuk kanë fituar asnjëherë ndonjë medalje olimpike. Ne kemi ftuar secilin nga këto vende që të dërgojnë në Shqipëri kandidatë të mundshëm olimpikë.
A prisni që të vijnë?
Kur të fillojmë ata me siguri që do të vijnë.
Sa pranë realizimit të ëndrrës suaj jeni?
Rreth dy vjet. Në datat 22-29 të muajit gusht do të bëjmë hapin e parë për ngritjen e akademisë. Me këtë rast do të ftoja të gjithë kandidatët për olimpiada që të vijnë në Shqipëri për provat e treta ndërkombëtare të atletikës. Ne nuk do të shohim vetëm për talente atletike, por dhe për aftësitë individuale të çdo fëmije që do të vlerësohen nga psikologu me famë, Eric Erikson. Disa nga talentet më të evidentueshme te fëmijët janë talentet në matematikë, muzikë, e të tjerë. Ne do t’i këshillojmë prindërit se çfarë rruge të ndjekin për fëmijët e tyre që të jenë të suksesshëm në karrierë.
#