E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Izraeli dhe Hamasi, negociata në Egjipt përpara një armëpushimi të mundshëm

KAJRO, 6 tetor /ATSH/ – Izraeli dhe Hamasi po përgatiten për negociata në Egjipt, ndërsa shpresat për një armëpushim në Gaza janë shtuar pas deklaratës së kryeministrit Benjamin Netanyahu se një marrëveshje për lirimin e pengjeve mund të shpallet brenda kësaj jave, sipas AP.

Plani amerikan i propozuar nga Presidenti Donald Trump, të cilin Izraeli e mbështet dhe Hamasi ka pranuar pjesërisht, parashikon lirimin e 48 pengjeve të mbetura — rreth 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë, brenda tre ditësh, dorëzimin e pushtetit dhe çarmatosjen e Hamasit.

 Delegacioni izraelit i drejtuar nga Ron Dermer do të shkoj sot në Sharm el-Sheikh për bisedimet, ndërsa një zyrtar egjiptian konfirmoi mbërritjen e përfaqësuesve të Hamasit. Në takim do të marrë pjesë edhe i dërguari amerikan Steve Witkoff. Sipas Ministrisë së Jashtme të Egjiptit, diskutimet do të përqendrohen te shkëmbimi i pengjeve me të burgosurit palestinezë që mbahen nga Izraeli.

 Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti këtë “momentin më të afërt për lirimin e të gjithë pengjeve që nga fillimi i luftës”, duke theksuar se faza e parë e planit parashikon lirimin e pengjeve dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite në brendësi të Gazës, në vijën e verdhë. Trump tha për CNN se nëse Hamasi qëndron në pushtet, “do të ketë shkatërrim të plotë”, ndërsa Netanyahu është dakord me ndalimin e bombardimeve dhe synon paqe të qëndrueshme në territor.

 Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Badrosian, tha se Netanyahu është në kontakt të vazhdueshëm me Trumpin dhe se bisedimet në Egjipt “do të zgjasin maksimumi disa ditë”. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, tha se kjo është “shpresa më e madhe për një marrëveshje pengjesh që nga armëpushimi i janarit.”

 Familjarë të pengjeve u mblodhën pranë rezidencës së Netanyahut në Jerusalem, duke kërkuar që qeveria të përfundojë luftën dhe të sigurojë lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Ndërkohë, në qytete të ndryshme të Evropës dhe në botë, mijëra njerëz marshuan në mbështetje të palestinezëve, ndërsa tetë vende me shumicë myslimane publikuan një deklaratë të përbashkët duke mirëpritur hapat drejt një armëpushimi dhe duke kërkuar kthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza për të unifikuar administratën me Bregun Perëndimor.

 Ndërkohë, pavarësisht thirrjes së Trumpit për ndalimin e bombardimeve, banorët e Gazës dhe spitalet raportuan se sulmet izraelite kanë vazhduar. Të paktën 12 persona u vranë të dielën në disa goditje në qytetin e Gazës dhe Rafah. Ushtria izraelite tha se disa nga këto sulme kishin në shënjestër militantë të Hamasit, ndërsa paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, do të rifillojë ofensivën. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›