E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen të dhënat e kosovarëve

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 10:40

Në Ambasadën e Kosovës në Berlin është vjedhur laptopi i markës IBM, në të cilin ishin futur të dhënat e kosovarëve që jetojnë në Gjermani, më saktë aplikantët për letërnjoftimet dhe pasaportat kosovare.

Fjala është për pajisjen që Ministria e Brendshme e Kosovës i kishte dërguar edhe në tri konsullata të tjera, Bruksel, Paris dhe në Cyrih nga fundi i nëntorit e deri pak para mbajtjes së zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme e Kosovës, megjithëse gjatë gjithë ditës së enjte të dy ministritë kanë dhënë lajme kontradiktore për ngjarjen.

Ministria e Jashtme fillimisht edhe e mohoi vjedhjen, për të ftuar gazetën më vonë në zyrat e saj që ta konfirmojë se vjedhja e laptopit, megjithatë ka ndodhur. Kontakti me Konsullin e Kosovës në Berlin, Milazim Vllasaliu, gjatë tërë ditës së enjte ka qenë i pamundur.

Ushtruesi i Detyrës së sekretarit permanent në Ministrinë e Jashtme, Fitim Gllareva, thotë se përderisa “në Berlin është bërë vetëm vjedhja e laptopit dhe një kamere të thjeshtë e jo e pajisjeve të tjera, nuk ekziston mundësia teknike e futjes në të dhënat e vendosura në kompjuter e aq më tepër, futja në bazën qendrore të të dhënave që gjendet në Kosovë”. (Zëri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›