RIO DE ZHANEIRO – Nëntë drejtues të bandave të drogës midis 117 të vdekurve në operacion policor

RIO DE ZHANEIRO, 31 tetor /ATSH-DPA/- Pas operacionit më të përgjakshëm policor në historinë e shtetit brazilian, policia ka identifikuar nëntë nga 117 të vdekur si të dyshuar si drejtues të bandave të drogës, në Rio de Zhaneiro.
Sipas policisë, Edgar Alves de Andrade, një nga udhëheqësit kryesorë të sindikatës kriminale “Comando Vermelho” (Komanda e Kuqe), arriti të arratisej. Ai ishte objektivi kryesor i operacionit.
Gjatë operacionit të së martës, katër oficerë policie humbën jetën – duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 121.
Sipas policisë, 78 nga të vdekurit kishin një histori krimesh të rënda. Urdhërarreste ishin lëshuar për 42 prej tyre.
Policia kreu sulmin kundër “Comando Vermelho” në lagjet e varfra, të Penha dhe Alemao.
Të paktën 2 500 oficerë policie u përfshinë në operacion, dhe u përdorën dy helikopterëve dhe dhjetëra automjeteve të blinduara.
Kriminelët i vunë flakën barrikadave dhe automjeteve, hodhën eksplozivë nga dronë dhe hapën zjarr ndaj oficerëve.
Deri më tani, 99 nga të vdekurit janë identifikuar, përfshirë një djalë 14-vjeçar.
Në kuadër të viktimave të shumta, organizatat e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje për një hetim ndaj operacionit.
Sipas shefit të policisë Felipe Kuri, të dy lagjet shërbyen si seli kombëtare për “Comando Vermelho”. Ai tha se kjo ishte zbuluar gjatë hetimeve. //a.i/