GJERMANI – Berlini zgjat sërish kontrollet kufitare, pavarësisht kritikave nga vendet fqinje

BERLIN, 16 shkurt /ATSH-AFP/ – Gjermania do të zgjasë kontrollet e saj kufitare për gjashtë muaj, njoftoi sot Ministria e Brendshme, duke i konsideruar të nevojshme, pavarësisht kritikave nga vendet fqinj, deri në vendosjen e një politike funksionale migracioni evropian.
”Këto kontrolle të përkohshme, të vendosura në shtator 2024, do të zgjaten deri në mes të shtatorit, pas dy shtyrjeve të mëparshme”, konfirmoi Leonard Kaminski, një zëdhënës i ministrisë gjatë një konference për shtyp.
“Politika e migracionit në Gjermani po riorganizohet dhe kontrollet kufitare janë një pjesë e saj, me një sukses tashmë të padiskutueshëm”, shtoi ai.
Kjo masë ishte futur nga qeveria e ish-kancelarit social-demokrat Olaf Scholz, pas një serie sulmesh vrasëse, disa prej të cilave kryer nga të huaj, dhe në kontekstin e rritjes së partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Qeveria e udhëhequr nga konservatori Friedrich Merz, e cila mori detyrën në maj, e forcoi edhe më tej kontrollin kufitar, me më shumë policë në kufij, për të refuzuar më shumë kërkues azili.
Megjithatë, në dhjetor, kancelari Friedrich Merz kishte parashikuar mbarimin e kësaj mase, pas një vendimi të BE-së për të ashpërsuar politikën e emigracionit në kufijtë e saj të jashtëm.
Në parim, kontrollet janë të ndaluara brenda hapësirës Schengen, por në rast kërcënimesh për rendin publik ose sigurinë, ato janë të mundshme për një periudhë dyvjeçare.
”Që nga shtatori 2024, rreth 50 000 persona janë refuzuar për “kalim të paligjshëm të kufirit”, shtoi zëdhënësi. /Ad.Ab./ a.jor.