FOKUS – Paralajmërim i përbashkët gjermano-britanik për përforcimin e trupave ruse

BERLIN, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit më të lartë ushtarakë nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po u bëjnë thirrje evropianëve të përgatiten për një sulm të mundshëm rus.
”Moska po e zhvendos gjithnjë e më shumë orientimin e saj ushtarak drejt Perëndimit”, paralajmëruan Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer i Bundeswehr-it dhe kreu i Forcave të Armatosura Britanike, Richard Knighton, në një apel të përbashkët të botuar sot.
”Ushtria ruse po riorganizohet në mënyra që mund të rrisin rrezikun e konfliktit me vendet e NATO-s”, shkruan Breuer dhe Knighton në një artikull të ftuar për gazetat ”Die Welt” dhe ”The Guardian”.
“Përforcimi ushtarak i Moskës, i kombinuar me gatishmërinë e saj për të zhvilluar luftë në kontinentin tonë, siç dëshmohet me dhimbje në Ukrainë, përfaqëson një rrezik në rritje që kërkon vëmendjen tonë kolektive”, shtuan ata.
Si pasojë, autorët nuk janë vetëm në favor të forcimit të gatishmërisë ushtarake, por edhe të zgjerimit të industrisë evropiane të mbrojtjes.
“Ukraina na tregon se bazat industriale janë çelësi për të mbështetur dhe në fund të fundit për të fituar çdo luftë të madhe”, shpjeguan Breuer dhe Knighton.
Ata theksojnë se riarmatimi “nuk është luftënxitës; është veprim i përgjegjshëm i kombeve të vendosura për të mbrojtur popujt e tyre dhe për të ruajtur paqen”.
“Forca pengon agresionin”, shtuan gjeneralët./ a.jor.