GJERMANI – NATO praktikon zbarkimin amfib në Detin Baltik

PUTLOS, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Trupat e NATO-s praktikuan sot zbarkimin amfib në bregdetin e Detit Baltik të Gjermanisë, ndërsa vazhduan manovrat në shkallë të gjerë “Steadfast Dart” të aleancës transatlantike.
Zbarkimi amfib është një operacion ushtarak ku forcat detare, ajrore dhe tokësore koordinohen për të nisur një sulm nga deti në një breg armiqësor.
Ushtarët, armët dhe pajisjet u sollën në breg përmes zonës së stërvitjes ushtarake, Putlos në Schleswig-Holstein.
“Aleanca është e bashkuar, e aftë dhe e gatshme për të vepruar”, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius.
“Është operacionale dhe në të njëjtën kohë tregon se çfarë janë të aftë të bëjnë partnerët evropianë brenda NATO-s”, shtoi ai.
“Nëse ndodh diçka në krahun lindor, trupat e NATO-s duhet të dislokohen shpejt, dhe sigurisht përmes Gjermanisë”, shtoi ai.
Rreth 15 anije dhe më shumë se 2 600 ushtarë u përfshinë në zbarkimin amfib nga Forca e Reagimit Aleat, e cila njihet si “maja e shtizës” së NATO-s.
Forca e reagimit të shpejtë, që numëron rreth 40 000 ushtarë, mbahet në gatishmëri të lartë.
Oficerët e përshkruan bashkëveprimin midis forcave tokësore, detare dhe ajrore si shumë kompleks.
Zbarkimet i vëzhgoi gjithashtu gjenerali i NATO-s Ingo Gerhartz, i cili drejton Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Brunsum, në Holandë. Komanda është përgjegjëse për mbrojtjen e Evropës Qendrore, nga Atlantiku deri në kufirin lindor të aleancës.
“Zbarkimet tregojnë se në një krizë të mundshme, ne mund t’i tregojmë shumë shpejt një kundërshtari të mundshëm se ku janë vijat e kuqe”, tha Gerhartz.
Shtabi operativ i Brunsum është i përfshirë në kryerjen e manovrave “Steadfast Dart”, në të cilën kanë marrë pjesë 17 anije nga 13 vende, më shumë se 1 500 automjete dhe rreth 10 000 ushtarë.
Manovra është më e madhja këtë vit për NATO-n, me operacione të përqendruara në Gjermani, e cila ka të ngjarë të veprojë si një qendër në rast të një sulmi rus në krahun lindor të aleancës.
Kontributet më të mëdha të trupave kanë ardhur nga vendet e Evropës Jugore si Italia, Spanja dhe Greqia, si dhe Turqia.
Përveç kësaj, trupat ukrainase do të demonstrojnë gjatë “Steadfast Dart” se si të sulmojnë dhe të mbrohen nga dronët, ndërsa NATO-ja kërkon të mësojë nga përvoja e luftës në Ukrainë. //a.i/