E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Pistorius pranon kompromis për rikthimin e shërbimit ushtarak

BERLIN, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se është i gatshëm të bëjë kompromis në projektligjin për programin e ri të shërbimit ushtarak, pas debatit të ashpër që ka përfshirë koalicionin qeverisës.

Qeveria e kancelarit Friedrich Merz synon të rikthejë një formë të shërbimit të detyrueshëm, i cili u pezullua në vitin 2011, për të forcuar ushtrinë gjermane përballë kërcënimit nga Rusia dhe për të përmbushur objektivat e rinj të NATO-s.

Megjithatë, koalicioni qeverisës është i ndarë. Socialdemokratët e Pistoriusit kërkojnë që shërbimi të mbetet vullnetar, ndërsa kristiandemokratët (CDU) dhe partia e tyre motër bavareze (CSU) kërkojnë që ai të jetë i detyrueshëm. Këto mospajtime kanë çuar në shtyrjen e diskutimit në Bundestag dhe në anulimin e një konference për shtyp që do të shpallte një marrëveshje politike.

Çështja kryesore e debatit është një sistem shorti për përzgjedhjen e rekrutëve në rast se nuk ka mjaftueshëm vullnetarë. Pistorius kishte kundërshtuar më parë këtë ide, por tani shprehet se mund të pranojë një version të modifikuar, ku disa kandidatë përzgjidhen rastësisht për kontroll mjekësor dhe mund të thirren për shërbim të detyrueshëm vetëm në raste të jashtëzakonshme.Hjkermani, Pistorius

Ai tha se është i hapur për diskutim dhe se procesi parlamentar ekziston pikërisht për këtë qëllim.

Ndërkohë, opozita dhe disa deputetë të tjerë kritikuan qeverinë për nxitjen e pasigurisë te të rinjtë. Deputetja e Partisë së Majtë, Desiree Becker, tha se “qeveria po nxit frikë tek të rinjtë”, ndërsa Katharina Dröge nga të Gjelbrit e quajti situatën “një rrëmujë”. Në anën tjetër, Norbert Röttgen nga CDU tha se shorti “i jep çdo burrë të njëjtën mundësi dhe të njëjtin rrezik.”

Megjithë debatet, ekziston dakordësia se ushtria gjermane duhet të zgjerohet ndjeshëm. Aktualisht, Bundeswehr ka rreth 183 000 ushtarë aktivë dhe synon të arrijë në 260.000 në vitet e ardhshme. Qeveria gjermane planifikon që ligji i ri për shërbimin ushtarak të hyjë në fuqi më 1 janar, në përpjekje për ta bërë Bundeswehr-in ushtrinë konvencionale më të fortë në Bashkimin Evropian. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›