E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO dënon ish-kryetaren e komanduar të Tropojës me dy vite burg, i konvertohet me shërbim prove

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli fajtore ish-kryetaren e komanduar të bashkisë, Tropojë, Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega, të akuzuar për korrupsion.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Bib Ndreca dhe Atalanta Zeqiraj, shpalli fajtor Zyra Islamaj për veprën penale “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 2 vjet e 1 muaj burgim.

Ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe u konvertua me shërbim prove për një periudhë dyvjeçare, me kusht që gjatë kohës së provës e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe e pandehura të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e saj.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Nga ana tjetër, Rrok Gega u gjet fajtor për “korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 6 muaj burgim. Gjithashtu edhe për Rrok Gegën dënimi u pezullua duke u konvertuar në shërbim prove për një periudhë kohore 1 vit, me kusht që gjatë kohës së provës e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe e pandehura të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e saj.

Sipas dosjes, bëhet fjalë për një tender ku Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, urë e cila nuk ishte parashikuar në projekt. Sipas SPAK, ajo kishte ndërhyrë te ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›