E Martë, 3 Nëntor 2026

GJKKO dënon me 3 vite e 4 muaj burg ish-gjyqtarin Ilir Pashaj

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vite burg ish-gjyqtarin e Elbasanit Ilir Pashaj.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Pashajt do i ulet një e treta e dënimit dhe përfundimisht do vuajë në një qeli burgu të sigurisë së zakonshme 3 vjet dhe 4 muaj izolim.

Vendimi u dha sot nga një trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari.

Ish-gjyqtari u shpall fajtor për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pashajt gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike, për 5 vjet.

Gjithashtu, u vendos në lidhje me këtë çështje konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurisë së paluajtshme të llojit apartament dhe autoveturë të markës “Mercedes Benz”, Model E200CDI, që ishin sekuestruar nga SPAK gjatë procesit hetimor. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›