GJKKO pushon çështjen për kryebashkiakun e Libohovës, Leonard Hide

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pushoi çështjen për kryetarin e bashkisë së Libohovës Leonard Hide, të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e kishte marrë të pandehur me akuzën se lejoi kultivimin e kanabisit në 2021, gjatë kohës kur shërbente si shef krimesh.
Në seancën e sotme paraprake, SPAK i kërkoi gjykatës pushimin e procedimit penal, pasi nuk provohet përfshirja e Hides në aktivitetin kriminal.
Çështja u pushua gjithashtu edhe ndaj personave të tjerë nën hetim Besnik Lila, Hajdin Musaraj, Edmond Late, Maringlen Dine dhe Geraldo Nela.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe pushimin e çështjes penale ndaj personave nën hetim Besnik Lila, Leonard Hide, Hajdin Musaraj, Maringlen Dine, Edmond Late dhe Geraldo Nela, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim”, njoftoi GJKKO. /j.p/