E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO kthen për hetime procedimin penal ndaj Irena Gjokës, i lë SPAK-ut 6 muaj afat

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot kthimin për hetime të mëtejshme të procedimit penal që lidhet me gjyqtaren Irena Gjoka, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pushimin e çështjes.

Kërkesa për pushimin e procedimit penal ishte paraqitur nga SPAK më 26 mars 2026 pranë Gjykatës së Posaçme.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Marinela Osmani, vendosi kthimin e akteve pranë SPAK-ut për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, duke përcaktuar drejtimin e thellimit të tyre dhe veprimet që do të kryhen.

Gjykata urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që veprimet hetimore të kryhen brenda 6 muajve nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë.

Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi.

Procedimi ndaj Gjokës për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, nisi pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, në Partinë Demokratike.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›