E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet për Kokën dhe të dënuarit e tjerë për inceneratorin e Elbasanit

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Gjykata e Lartë ka lënë sot në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, duke rrëzuar rekursin e të dënuarve.

Vendimi është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së, i datës 14 maj, riktheu në qeli ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të cilit i kanë mbetur edhe rreth gjashtë muaj burg për të vuajtur.

Sipas vendimit të Apelit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj. Ish-deputeti Alqi Bllako u dënua me 4 vite burg (2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar).

Biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë dënuar secili me nga 10 vite burg, të reduktuara në 6 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Stela Gugallja është dënuar me 7 vite burg (4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar), ndërsa Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo janë dënuar me nga 4 vite burg (2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar).

Po ashtu, Bardhyl Çabiri është dënuar me 2 vite burg, ndërsa Serafin Papa me 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›