Tentuan të përplasnin efektivët e policisë, neutralizohen dy të rinj në Mamurras

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se dy persona janë neutralizuar dhe më pas arrestuar, pasi tentuan të përplasnin me makinë efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale gjatë një operacioni policor.
Sipas policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.
Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
“Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor Mamurras–Laç, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë”, njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.
Policia gjithashtu sekuestroi armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin. Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.
/m.q/j.p/r.e/