E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi pa leje, Gjykata lë në burg shefin e Komisariatit të Sarandës dhe një inspektor të Policisë

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Gjykata e Sarandës ka dhënë vendimin për masat e sigurisë ndaj katër drejtuesve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një seance gjyqësore që zgjati rreth shtatë orë.

Prokuroria, e përfaqësuar nga prokuroret Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, kërkoi masën “arrest me burg” për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn për një periudhë 45-ditore, kohë gjatë së cilës organi i akuzës deklaroi se do të paraqesë prova shtesë në mbështetje të dyshimeve ndaj tyre.

Ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas medieve, gjatë seancës, avokatët mbrojtës kundërshtuan kërkesat e organit të akuzës, duke i cilësuar arrestimet të paligjshme dhe të pambështetura në prova të mjaftueshme. Ata kërkuan lirimin e katër zyrtarëve të policisë, me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vendosjen e masave shtrënguese.

Deklarime para trupës gjykuese dhanë edhe vetë drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët mohuan akuzat dhe deklaruan se kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Shkëlzen Liçaj vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë, duke caktuar masën “arrest me burg” për 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”.

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë dhe tre inspektorët e policisë po hetohen nën dyshimet për përfshirje në veprimtari korruptive, lidhur me lejimin e ndërtimit të beach bar-it “Copacabana” në Sarandë dhe objekteve të tjera pa leje.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›