GRECO për Shqipërinë: Korrupsioni, problem. Të monitorohen paratë e partive
Strasburg- Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) ka vënë në fokus të raportit të saj për vendin tonë, kriminalizimin e korrupsionit dhe transparencën e financimit të partive politike në Shqipëri. Raporti konstaton se megjithë përparimet në sferën ligjore ka ende mangësi në legjislacionin aktual shqiptar për korrupsionin, ndërkohë që sugjeron ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për mbikëqyrjen e financave politike në përgjithësi.
Korrupsioni
Sipas raportit janë identifikuar probleme siç është aplikimi i kufizuar i neneve ekzistuese përsa i përket korrupsionit të punonjësve publikë të huaj dhe ndërkombëtar; nivelin e dobët të sanksioneve të mundshme për vepra korrupsioni të kryera në sektorin privat ; dhe disa boshllëqe në raport me kompetencën në raste shkeljesh me korrupsion dhe trafik influence kryer jashtë shtetit. Vënia në praktikë e legjislacionit penal të duhur duhet të forcohet.
Transparenca e financimit të partive
Lidhur me transparencën e financimit të partive politike, raporti dëshmon se Shqipëria është tashmë e angazhuar në procesin e reformave premtuese, me qëllim përmirësimin e nivelit të ulët të transparencës në financimin e partive politike shqiptare. "Kodi i ri elektoral, në fuqi që prej janarit 2009, futi një sistem të ri për të siguruar transparencën dhe kontrollin e financimit të fushatave zgjedhore. GRECO nënvizon se është e nevojshme të miratohen tani masa konkrete për të vënë efektivisht në punë rregulloret e reja"- thekson raporti.
Sipas tij, si fillim, është e nevojshme të zhvillohet një mekanizëm i pavarur i pajisur me pushtete të mjaftueshme për të mbikqyrur një herësh edhe financimin e fushatave zgjedhore edhe financimin politik në përgjithësi - në kundërshtim me regjimin aktual të ndarjes së përgjegjësive mes shumë institucioneve.
"Për më tepër, duhet vënë në një linjë Ligji për partitë politike me normat e Kodit të ri Elektoral për sa i përket transparencës, mbikqyrjes, aplikimit të rregulloreve. Autoritetet shqiptare janë të ftuara të vazhdojnë përpjekjet e tyre me qëllim vendosjen dhe vënien në zbatim të një sistemi të plotë për të siguruar transparencën e financimit politik"-përfundon rekomandimi i raportit.
Ky raport është përgatitur në kuadrin e Ciklit të tretë të Vlerësimit të GRECO. Vënia në zbatim e këtyre rekomandimeve, do të përbëjë objektin e një shqyrtimi të ri nga ana e GRECO-s, nga fundi i vitit 2010, në kuadrin e procedurës së saj specifike të përmbushjes.