E Shtunë, 31 Tetor 2026

GREKËT DHE ÇAMËT SIPAS FAIK KONICËS

Autori i Lajmit: Nga Faik Konica
Prej disa kohësh ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen se Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqiperise, ndërsa Greqia e mohon me zë të larte këtë pretendim. Shume amerikanëve u është dukur e çuditëshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërise. Porse a nuk ka thëne njëherë nje autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata jane të "paartikuluar" ?
Kërkesave të përsëritura une iu jam përgjigjur se nuk e kisha gjë për te thene, ndersa atyre miqve amerikane, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithcka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kerkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë. Ata e dinë se une kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke që bën pjesë në krahinen e vënë në diskutim, kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme; ata mendojnë se askush tjetër më mirë se unë nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më permendin vazhdimisht se si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj ndonëse me lëkundje, vendosa të thyej heshtjen dhe ti paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.
Sic dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekërit kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë "kontinent" dhe ne zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën "kontinenti" , me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk përbënte vilajetin ose provincen e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.
Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha edhe kombësia, por kufinjtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm që e njohin mirë studiuesit, "Fjalor i antikiteteve klasike" të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull "në zanafillë banohej nga ilirët". Kurse ata që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar ne Lund me 1909 me titullin "Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë", do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar. Deri dhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit Leoni i Mencuri, në një nga librat e tij përmend faktin që "banorët e Epirit janë shqiptarë". Pak nga pak depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.

(II)

Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, sic e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak. Autoriteti që na e njofton këtë mizori është nje grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë perandorake bizantine me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë, që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Sic thotë Dukasi, një nga lojrat e tyre të parapëlqyera ishte tu priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe ti linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do ti ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më pare. Sic shkruan Mihail Dukasi, ndersa Gjin Shpata mblodhi nje ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë nën flamurin e armëpushimit i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerrë nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.
Sic e thotë historiani, ambicja e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thote Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shume prej tyre në qytet. Së fundi thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë "të zbrazte" Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht zor se mund të shpikte një metode më të efektshme për të ndryshuar përberjen etnike të një vendi, porse "të drejta" të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në folmen më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380 dhe në pak vite më parë.
Pas pesedhjetë vjetësh, më sakte më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjemime te portat e Janinës, e cila ndërkaq ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Eshtë për tu shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe dicka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greke. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatesisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Wian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Wien. Në traktatin e Ajzenburgut të nënshkruar me 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.

(III)

Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për ti shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë muslimane, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë muslimane, pjesa tjeter mbeti e krishterë, në veri si besimtarë të kishës Perendimore e ne Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundesia për grekërit që të shkombëtarizonin shqiptarët duke e persosur kishën si mjet të propagandës.
Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujq për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekërit nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.
Një nga marifetet më të padëgjuara të grekërve ka qenë dhënia e ryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekërit ranë madje edhe më poshtë, nuk e kishin për gjë të kallzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata ti degdisnin në burgje të largëta.

(IV)

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropjane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin po të ishte e mundur të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekër e organizuar e maskuar si njerez civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze Meri Edit Durham dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh qe tia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që ta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara të të gjithë kohërave. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por me 1920, me titullin "Njëzet vjet ngatërresa ballkanike" Mis Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë u kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që deshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.
Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eleminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekërve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh disa shekuj më parë e lanë krishtërimin dhe u bënë muslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk kane mësuar turqishten. Mashtrimi i grekërve kishte për qëllim që ti paraqiste si turq shumë muslimanë shqiptarë dhe ti dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh, irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët edhe polakët jane katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për shkëmbimin e popullsisë e zbuloi mashtrimin në pak raste dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.
Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizura. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta, ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studjues si Pukëvili se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusjan, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku jane këta 75 % shqiptarë sot?
Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e pa trembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është camëria, të cilen grekërit e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u ve faj grekërve për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithe tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërise tani vonë në 1913 ka qenë 96 % shqiptare. Ky perpjestim tani është ulur me akte dhune dhe une mund të sjell si shembull shumë punëtorë, që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri më pak se një vit më parë. E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend demet qe i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosëe kufinjtë natyrore e historikë të Shqipërisë. Eshtë e arsyeshme që të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonje mund të kundershtojë se megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekerit ata kane arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shume vise të rajonit të diskutuar, kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re nuk tingellon aq mire. Për këtë une do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.
Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqine e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhen e vet të lashtë. Këta njerëz kanë nje mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë deshmorë të cështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekërit e rajonit të diskutuar dhe më së fundi të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse siç pohojne grekërit, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Une pajtohem me këtë plotësisht, por me duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për ti bërë bisht çështjes. çështja është qe një herë dhe a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë automatikisht kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë, se Italia ka këtu një perligje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

New York Times, Gusht 1940

Ky lajm është publikuar: 13/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›