E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e minatorëve, Pollo negocion për zgjidhjen e kërkesave

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Për të disatën herë rreth 150 minatorë të ardhur nga të gjitha rrethet protestuan dje për statusin, uljen e moshës së pensionit dhe përmirësimin e kushteve të punës. Sikundër kishin paralajmëruar dy ditë më parë minatorët janë mbledhur dje para dyerve të selisë së kryeministrisë, ku kanë tentuar të hyjnë me forcë për t’u takuar me kreun e ekzekutivit. Tentativa e tyre është ndaluar nga forcat e rendit të cilat u bënë gardh para dyerve te kryeministrisë. Pas insistimit të tyre për tu takuar me kryeministrin Berisha, ata janë pritur në takim nga ministri i shtetit Genc Pollo, me të cilin kanë rënë dakord që prej ditës së sotme të ngrihet grupi teknik i punës për të gjetur zgjidhje rreth ankesave të minatorëve. “Ministri i Shtetit Genc Pollo priti dje një përfaqësi të minatorëve. Pas bisedës me ministrin Pollo, kjo përfaqësi do të paraqesë kërkesat e tyre të cilat Ministri i Shtetit do t’i diskutojë me kolegët e tij në Qeveri për gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme,” bënë të ditura dje burime zyrtare.

Vendimi

Sipas një vendimi të muajit shtator Komisioni i Ekonomisë miratoi uljen e moshës së pensionit për minatorët me 5 vjet, (nga 65 vjeç në 60 vjeç). Njëkohësisht me këtë vendim janë ulur edhe vitet e punës të kërkuara për të përfituar pension pleqërie, nga 35 vite pune tashmë kërkohen vetëm 30 vite pune, që janë të mjaftueshme për të dalë në pension. Por kërkesat e minatorëve nuk përputhen më këtë vendim pasi ata kanë kërkuar uljen e moshës së daljes në pension deri në 50 vjeçc ( pasi 5 vjet janë të pamjaftueshme për ta). Këtë kërkesë ata e argumentojnë me punën e vështirë në miniera, ku për shkak të sëmundjeve të rënda profesionale dhe kushteve çnjerëzore të punës, bazuar në studime të përsëritura, të dhëna të INSTAT dhe raportit të Komisionit Kombëtar të Punës, mosha mesatare e vdekjes së tyrë është 58-59 vjet. Pra nëse do të bazoheshim në këto studime këta punonjës nuk jetojnë të marrin pensionin për të cilin kanë dhënë kontribut gjithë jetën e tyre.

Statusi i minatorit

Në thelb, statusi i minatorit (i hartuar prej tyre) ka kërkesën për përfitimin e pensionit pas vetëm 10 vitesh punë në minierë, uljen e moshës së marrjes së tij deri në 50 vjeç, si dhe rrumbullakosjen e një shpërblimi minimal në shumën 25 mijë lekë, ose 83% e pensionit në kohën e diktaturës. Po sipas shoqatës, një revolucion i tillë në sistemin e pensioneve nuk ka ndonjë faturë krejt të rëndë për Qeverinë. “Janë vetëm rreth 50 milionë euro në vitin e parë dhe më tej shifra vjen e ulet me 17 për qind në vit, pasi minatorët pakësohen për shkak të moshës, shkurt vdesin, dhe njëkohësisht në tregun ndërkombëtar ka një rritje galopante të çmimit të mineraleve”,- kanë sqaruar minatorët gjatë protestave për miratimin e kërkesave të tyre.

Ligjet ndër vite

Gjatë diktaturës, mosha e daljes në pension për ata që punonin në punë të rënda, ishte 50 vjeç, ndërkohë që të tjerët, grupi i dytë i vështirësisë, dilnin në moshën 55-vjeçare dhe të fundit në moshën 60-vjeçare. Në vitin 1993 (11 maj), me vendimin nr. 7703, mosha e pensionit u ngrit për të gjitha kategoritë në 60 vjeç. Ndërsa në prill 2002, krejt papritur, pa asnjë konsultë me sindikatat, Qeveria e ngre moshën e pensionit në 65 vjeç për të gjithë. Në këtë periudhë mosha mesatare e meshkujve shqiptarë ishte 68.5 vjeç. Pra, shumëkush ka vdekur pa gëzuar asnjë ditë pension.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›