E Martë, 3 Nëntor 2026

GREQI – Socialistët paraqesin mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore

ATHINË, 27 shkurt /ATSH-ANSA/ – Të mërkurën e ardhshme do të paraqes në parlament një mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore të partisë ”Demokracia e re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, deklaroi sot kreu i partisë opozitare socialiste greke, PASOK, Nikos Androulakis.

Kjo lëvizje u njoftua pasi Organizata Kombëtare për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore dhe Sigurinë e Transportit në Greqi (EODASAAM) prezantoi në një konferencë për shtyp në Athinë, mëngjesin e sotëm, raportin e saj mbi aksidentin e trenit në Tempi, i cili ndodhi më 28 shkurt 2023, dhe ku humbën jetën 57 persona.

Sipas Androulakisit, raporti i autoritetit konfirmoi se “ka përgjegjësi serioze nga ana e qeverisë së Mitsotakisit dhe gabime kriminale” në lidhje me aksidentin e trenit.

“Për dy vjet, kryeministri dhe zyrtarët kanë mashtruar popullin grek”, argumentoi kreu i PASOK-ut, “në thelb duke bërë gjithçka që munden për të fshehur përgjegjësitë e tyre politike”.

Nesër janë planifikuar demonstrata masive në të gjithë Greqinë, për të shënuar dyvjetorin e përplasjes së trenit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›